Denoncon Haziri: Skena politike është bërë një me nëntokën kriminale

  • 23 May 2019 - 10:48
Denoncon Haziri: Skena politike është bërë një me nëntokën kriminale

Skena politike e Kosovës, në vend se të reformohet, ristrukturohet dhe gjithmonë në transformim e sipër të jetë në funksion të ndërtimit të shtetit dhe të avancimit të perspektivës për qytetarin në dy dekada që po lëmë pas, sipas analistit politik Nexhat Haziri, ka rrëshqitur në krim dhe korrupsion, është bërë një me nëntokën kriminale dhe nuk di gjë tjetër vetëm se të pasurohen kryetarët, krye oborrtarët e kësaj skene dhe klientelat e tyre.

Image
Nexhat Haziri

Analisti politik Nexhat Haziri ka pohuar se "lidershipi i kësaj skene politike nuk ka punuar gjë tjetër për këto dy dekada veç sa ka luftuar si e si ti forcon dhe mbështetë bastionet e veta politike , si të punësohen militantët e familjarët, te pushtohen institucionet e drejtësisë e të arsimit, por duke mos harruar asnjëherë se si të përfitojnë nga tenderët publikë. Kjo kastë politike tani kontrollon edhe farmacitë dhe tregtinë me karburante dhe kështu mbanë monopolet kryesore në sferat më të rëndësishme të zhvillimit biznesor. Prandaj të gjitha këto janë arsye pse qytetari humbë besimin dhe ia mesun gjetjes së një jete më të mirë jashtë vendit".

 

“Sot skena politike kosovare përbëhet nga parti klientaliste të lidhura ngushtë me biznesin dhe njerëzit e fortë të krimit të organizuar, dhe kjo ka bërë që një formë thuajse e njëjtë të funksionimit ta bartin edhe në institucionet e shtetit, duke ofruar një modul të qeverisjes klientaliste që ua mundëson të vënë kontroll mbi çdo institucion të shtetit”, tha Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Hazirit, "kemi klasë politike klienteliste edhe pasi që këto parti që përbëjnë skenën politike kosovare e shohin qytetarin si klient të tyre më të cilin mund të bëjnë shit-blerje, sidomos besimin e qytetarit, dhe mbi këtë bazë pastaj i bëjnë edhe investimet e tyre përgjatë mandatit qeverisës".

“Edhe investimet e bëra I bëjnë në baza kilenteliste qoftë në bastionet ku marrin votat, qoftë mbi bazën e marrëveshjeve për përfitimet e tyre përmes tenderëve, dhe forma të tjera që atyre iu garantojnë përfitime personale e grupeve të ngushta të tyre. Ky kontroll në stilin mafioz ka bërë që ata pa dhënë asnjë përgjegjës para qytetarëve të vazhdojnë qetë dhe shumë komod për ta zhvatur buxhetin e shtetit,të abuzojnë me pronën publike, me investimet qofshin në infrastrukturë apo edhe në sferat e tjera, duke vendosur monopol mbi ekonominë dhe biznesin, arsimin, shëndetësinë, kulturë dhe sport”, tha Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Hazirit, "kjo formë se si funksionojnë partitë politike, atë formë partitë e kanë bartur edhe në funksionimin e institucioneve të shtetit, e që për dikë edhe mund të tingëllojë si e vrazhdë, por thotë se ka bindjen që klasa politike në Kosovë me këto parti partitë kryesore politike i ngjason një rrjeti të krimit të organizuar, apo grupeve mafioze".

(Kosova Sot Online)