VV kërkon dorëheqjen e Veselit para hetimeve: Nëse vërtetohet përfshirja e tij duhet të shkojë në burg

  • 23 May 2019 - 13:21
VV kërkon dorëheqjen e Veselit para hetimeve: Nëse vërtetohet përfshirja e tij duhet të shkojë në burg

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar rreth deklaratave të Kadri Veselit se “nëse vërtetohet se është i përfshirë në krimin për fajde do të japë dorëheqje”.

Vetëvendosje thotë se nëse ajo vërtetohet Veseli duhet të shkojë në burg, derisa kërkon dorëheqjen e Veselit për t’i hapur rrugë hetimeve.

“Në videon që doli në media, në emër të Kadri Veselit kërkohet para e paligjshme, si haraç a si fajde, nga anëtarë organizatash kriminale. E reagimi i kryetarit të Kuvendit ishte, për të thënë të paktën, frikacak: ai tha se po të vërtetohet se është pjesë e këtij rasti kriminal do të japë dorëheqje. Gjithë Kosova e gjithë bota e di se po të vërtetohet që Veseli është pjesë e rastit kriminal, nuk shkon në dorëheqje por drejt e në burg. Dorëheqja është akt moral, që bëhet për t’i hapur rrugë hetimeve. Pra, kur emrin ta përmendin si kërcënim për fajde, duhet të jetë dorëheqja para hetimeve, e jo hetimet para dorëheqjes”, ka shkruar Vetëvendosje në Facebook.

Vetëvendosje shton se vet Kadri Veseli ka luajtur rolin e naivit dhe ka shtruar pyetjen se pse drejtësia e paska pasur për gjashtë vite këtë video dhe nuk e ka hetuar. Dhe pastaj, ka kërkuar vetting në drejtësi.

Veseli: Nëse del se jam i përfshirë në videon ku më përmendet emri, jap dorëheqje

“Pra në vend se të flasë për përgjegjësinë e tij në skandalin që po dëmton imazhin e shtetit dhe republikës së Kosovës ku ai është kryeparlamentar, Veseli e gjuan përgjegjësinë tjetërkah, te sistemi i drejtësisë. Pse nuk ka hetuar asnjë prokuror më përpara mbi këtë video? Sepse prokurorët e sistemi i drejtësisë i tuten Kadri Veselit. Sepse ky dhe njerëzit e tij, siç dihet nga rasti “pronto”, e kanë vendosur në krye të prokurorisë një njeri që u bindet. Prandaj mjaft me hipokrizi, ku Veseli e shërbëtorët e tij të cilëve po u del kriminaliteti në shesh, bëjnë thirrje për drejtësi e vetting”, thotë VV.

Tutje Vetëvendosje ka kujtuar rastin që ndodhi para disa ditësh në Austri.

“E patëm shembullin e Austrisë, ku pas publikimit të një videoje, menjëherë dha dorëheqje personi i përfshirë, e njëkohësisht u shpallën zgjedhjet e reja. Ky është momenti që Kosova të tregojë se dëshiron të ndjekë modelin perëndimor dhe jo atë rus. Kadri Veseli duhet të largohet nga çdo pozitë e pushtet, për t’i hapur udhë hetimeve, sa më shpejt dhe pa bërë rezistencë. Çdo këmbëngulje e tij për të vazhduar të qëndrojë në pushtet është pengesë e drejtësisë dhe e demokracisë, dhe mbrojtje e krimit të bërë”, thotë VV.

(Kosova Sot Online)