Veseli: Nëse del se jam i përfshirë në videon ku më përmendet emri, jap dorëheqje

  • 23 May 2019 - 13:22
Veseli: Nëse del se jam i përfshirë në videon ku më përmendet emri, jap dorëheqje

Kryeparlamentari Kadri Veseli është deklaruar për videon me fajde ku i përmendet edhe emri i tij. Në një konferencë për media ka thënë se nëse del e vërteta se edhe ai është përfshirë në këtë rast, ai do të japë dorëheqje.

Në videon ku dyshohen se janë përfshirë në fajde, mashtrim e detyrim një grup prej së paku 8 personash, përmendet edhe emri i Veselit. Kadri Rexhepi, në një rast dëgjohet duke thënë se Kadri Veseli ka marrë 200 mijë euro

“Nëse del se është e vërtetë se jam përfshirë në këtë rast unë jam i gatshëm nga sot të japë dorëheqje. Ky është morali im. Ky është besimi im jetësor. Kjo është politika ime. E them me siguri të plotë, emri im është keqpërdorur në këtë akt kriminal të mashtrimit. Kur të dalë e vërteta e kësaj, atëherë dikush duhet të japë llogari penale dhe institucionale. Pavarësisht a janë pjesë e policisë, sistemit të drejtësisë, ose politikës”, ka thënë Veseli.

Ai ka kërkuar të sqarohen disa çështje, që sipas tij, mund të ngriten natyrshëm nga ky rast dhe që ka të bëjë edhe me funksionimin e organeve dhe institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë.

“Si është e mundur që për këtë rast të krimit të organizuar, që paska pasur fakte në vitin 2013, të ndërmerren veprime me 6 vjet vonesë. Kush është ai, ose ata persona që e kanë mbuluar këtë krim të organizuar për më shumë se 6 vjet. Kujt dhe për çfarë llogarie i është dashur kjo vonesë që paska mundësuar edhe mbulimin dhe mos-dënimin e veprave penale. Pse këto video-incizime kanë qenë në sirtarë të policisë apo të prokurorisë për kaq shumë vjet dhe nuk janë trajtuar në kohë dhe me veprime të duhura”, ka thënë ai

Tutje ai ka shtuar se këtij hetimi do t’i shkohet deri në fund.

“Shihet qartë se kjo është një skemë e krimit të organizuar dhe ju siguroj se kësaj do t’i shkohet deri në fund. Edhe sikur vëllai im të ishte i përfshirë në krim do të shkojmë deri në fund. PDK-ja nuk është e përfshirë në këtë krim. Ne po bëjmë reforma edhe brenda partisë dhe do të përkujdesemi që njerëzit e tillë të mos jenë me ne”, ka thënë Veseli.

Veseli ka shtuar se, “do të ketë veprime institucionale por jo hakmarrëse të miat. E di se dikujt nuk do t’i pëlqejë po do t’i shkojmë deri në fund. Mashtruesit, kriminelët duhet me i çrrënjosë. Ju ftoj edhe juve si media të bëjmë më shumë. Në këtë shtet do të funksionojë ligji dhe padrejtësia do të paguhet. Para ligjit do të jenë të barabartë edhe djali i kryetarit edhe djali i fshatarit”.

Ai ka insistuar se, “kemi të bëjmë me një skemë që është mashtruese, që është kriminale”.

(Kosova Sot Online)