Reagon Qarri: Edhe me Shpendin, asnjë leje ndërtimore nuk merret pa dhënë ryshfet!

  • 23 May 2019 - 15:22
Reagon Qarri: Edhe me Shpendin, asnjë leje ndërtimore nuk merret pa dhënë ryshfet!

Zbardhja e skandalit të radhës  në  mediet kosovare,  me  videon ku biznesmeni Faton Dalladaku i ankohet Kadri Rexhepit se Rrahim Hashimi nuk po ia kthen paratë dhe se kontrata dhe leja për ndërtimin e spitalit nuk iu dha, ashtu siç iu premtua,  ka ngjallë edhe reagimin e analistit Gani Qarri, sipas të cilit  këtu  pasqyrohet me fakte më së miri se si merren lejet ndërtimore në komunën e Prishtinës, por  se tani  në këtë  veprimtari po dalin të jenë të involuar edhe drejtuesit e SHIK-ut  në të kaluarën e tyre jo shumë të largët.

Image
Gani Qarri

 “ Zbardhja e skandalit më të ri si rasti i videos se publikuar, ku biznesmeni Faton Dalladaku i ankohet Kadri Rexhepit se Rrahim Hashimi nuk po ia kthen paratë dhe se kontrata dhe leja për ndërtimin e spitalit nuk iu dha, ashtu siç iu premtua,po dëshmon hapur jo vetëm vazhdimin e pareshtur të krimit galopant në vend, që është bërë traditë e politikanëve të kriminalizuar anë e mbanë Kosovës, por edhe pafytyrësinë e pa fund të të gjithë pushtetarëve dhe  pjesëmarrësve që nga Kadri Rexhepi e deri te Kadri Veseli, të cilët përmes deklaratave publike, tani përpiqen të na imponohen dhe shiten edhe si viktima.  Përderisa Kadri Rexhepi ndërmjetësuesi i fajdeve, përpiqet ta shes veten si viktimë e mashtrimit nga Rrahim Hashimi dhe biznesmeni Faton Dalladaku, Kadri Veseli deklaron se është keqpërdorur emri i tij, ani pse ne videon e sapo-publikuar Rrahim Hashimi përmend hapur,spontanisht dhe pa asnjë dirigjim, emrin e Kadri Veselit se i ka marre 200 mije euro.  Kjo është e vërteta se si realisht merren lejet në komunën e Prishtinës dhe dëshmon edhe një herë më tepër se si asnjë leje ndërtimorë ne kryeqytet për  20 vite me radhë, duke përfshirë edhe këto dy mandatet e Shpend Jahtit, nuk ka shans të merret pa dhënë ryshfet, siç deklaron edhe biznismeni Dalladaku”, tha  Qarri për “Kosova Sot Online “. 

 

Sipas Gani Qarrit ," është skandaloze kur thuhet se këto video të përgjimeve, organet e drejtësisë i posedonin nga viti 2013 dhe megjithatë jo vetëm se nuk kanë ndërmarrë asgjë, por edhe e kanë parashkruar lëndën, tregon se deri ku ka arritur mafia ta kapë drejtësinë e cila duhet të lirohet tani nga këto rrjete kriminale dhe nga SHIK-u ". 

"Kjo përveç dëshmisë së dështimit total të prokurorisë dhe drejtësisë së kapur në vend, duket të ketë qenë edhe një trik, nëse jo edhe urdhëresë e dirigjuar nga klane të krimit të organizuar, që të përfshirëve në këtë rast, tu lihet dorë e lirë dhe në një moment të volitshëm për ta, ta deklasojnë përfundimisht edhe shefin e SHIK-ut,Kadri Veselin dhe tregojnë atij se dikush qëndron mbi të dhe SHIK-un e tij, në Kosovë:, tha analisti Qarri. Ai shpreson se "nëse asgjë tjetër, kjo video ndoshta do të ndikojë që të paktën lejet ndërtimorë, të mos vazhdojnë më, të jepen vetëm me ryshfete në komunën e Prishtinës, të cilat deri më tani është vërtetuar botërisht se nuk ka pas asnjë shans të merren ndryshe , pa  i paguar ryshfet, jo vetëm kryetarit të komunës dhe grupeve kriminale ndërmjetësuese, por siç dëshmohet në videon e publikuar edhe vet krye parlamentarit, e të mos guxohet të ndërmerret asgjë, ngase edhe kryeprokurori i shtetit,pikërisht për të heshtur për të gjitha, është vendosur me porosi nga Kadri Veselit."

(Kosova Sot Online)