Punëtori i Bechtel Enkas viktima e pestë që vdiq në vend të punës sivjet

  • 23 May 2019 - 16:32
Punëtori i Bechtel Enkas viktima e pestë që vdiq në vend të punës sivjet

Listës së punëtorëve që humbën jetën në vendet e tyre të punës, të martën iu shtua edhe Hami Sallahaj nga Prizreni. 48-vjeçari humbi jetën si pasojë e një aksidenti që ndodhi mes tri veturave, të cilat e goditën derisa ai po e kryente punën e tij. Se si vdiq Sallahaj, në Inspektoratin e Punës deklarojnë se shumë shpejt do të dalin në raport. Me Hamdiun, numri i të vdekurve në vendin e punës gjatë këtij viti shkon në pesë.

Ishte duke kryer punën e tij, por dita e martë doli të jetë fatale për Hamdi Sallahajn nga Prizreni. 48-vjeçari ishte punëtor i kompanisë Bechtel Enka, e në momentin kur bashkë me kolegët e tij ishin duke i larguar shenjat sinjalizuese të punës, dy vetura u përplasën me njëra-tjetrën, duke i shkaktuar kështu plagë vdekjeprurëse.

Sallahu vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi nuk mundi t’u bënte ballë plagëve të marra nga goditja e veturës.

I lënduar mbeti edhe një koleg i tij, të cilit goditja nga vetura i shkaktoi thyerje në shtyllën kurrizore.

Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, ka thënë se inspektorët kanë dalë në autostradën “Arbën Xhaferi”, vendi ku ndodhi aksidenti të martën, por meqenëse janë informuar me vonesë nuk kanë mundur të nxjerrin një raport zyrtar ende.

“Inspektorët kanë dalë në vendin e ngjarjes, por janë informuar më vonë vonesë dhe kur kanë shkuar vendi ka qenë i pastruar për shkak të mos bëhet kolonë në komunikacion. Fatkeqësisht nuk kanë mundur të nxjerrin një raport zyrtar, duhet të marrim informata nga policia sepse ata sigurisht kanë ndonjë fotografi nga vendi i ngjarjes”, ka thënë Ibrahimi.

Ibrahimi ka shtuar se në momentin kur ka ndodhur aksidenti, punëtorët kanë qenë duke i larguar shenjat sinjalizuese për kryerjen e punimeve në autostradë.

E vdekja e Hamdiut e çon në pesë numrin e vdekjeve në vendin e punës përgjatë vitit 2019.

Në Inspektoratin e Punës kanë thënë se krahasuar me një vit më parë ka rënë numri i aksidenteve në vendet e punës. Vitin e kaluar 22 persona kishin humbur jetën në vendin e punës, e lëndime të rënda kanë pësuar 104 persona.

Shembja e një pjese të objektit të hotel Adriatikut në Mitrovicë kishte qenë fatale për 27-vjeçarin Visar Behrami nga Mitrovica. Ai mbeti nën rrënojat e objektit, ku si pasojë edhe humbi jetën.

Ibrahimi thotë se gjatë muajve të parë të këtij viti, rastet e lëndimeve dhe vdekjeve në vendin e punës janë më të vogla se vitin e kaluar në të njëjtën periudhë kohore.

“Këtë vit ka raste më pak të lëndimeve dhe vdekjeve në vendin e punës, në krahasim me vitin e kaluar. Siguria në përgjithësi dhe në ndërtimtari mund të them se ka një ndryshim së paku sa i përket aksidenteve, në krahasim me vitin e kaluar është më mirë gjendja. Edhe një vdekje në vendin e punës për ne është shumë, por po ndërmarrim të gjitha masat që të zvogëlohen aksidentet në vendin e punës”, ka theksuar Ibrahimi.

Ndërkaq Ibrahimi tregon se gjobat ndaj kompanive ku punëtorët humbin jetën shqiptohen në bazë të masave të sigurisë të cilat ato kompani i kanë marrë paraprakisht.

Ai thekson se ka raste kur dikush pëson lëndim më të vogël dhe kompania mund të gjobitet më shumë, e ka raste të tjera kur personi mund të vdesë dhe kompania të gjobitet më pak, pasi ka mundësi që i ka marrë masat e nevojshme për sigurinë e punëtorëve gjatë punës.

Ibrahimi po ashtu ka treguar se gjatë vitit 2018, Inspektorati i Punës ka shqiptuar 270 gjoba ndaj kompanive të cilat nuk i kanë marrë masat e nevojshme për sigurinë në punë.

Ndërkaq rasti i Visarit nuk është i vetmi gjatë këtij viti. Në muajin shkurt në vendin e punës humbi jetën edhe 22-vjeçari Krenar Jemini nga Mushtishti i Suharekës.

Kompania kishte dalë me një komunikatë në të cilën thuhej se në momentin kritik, Krenari kishte qenë duke kryer punët e tij në fabrikën “Lab Oil” dhe ka rrëshqitur në shiritin transportues të fabrikës, ku ka marrë lëndime vdekjeprurëse.

E për humbjen e jetës së Krenarit në vendin e punës, kompania “Lab Oil” ishte gjobitur 9 mijë e 500 euro.

Çka thotë Ligji për vdekjet në vendin e punës

Punëdhënësi, sipas Ligjit të Punës, është i obliguar ta informojë punëtorin me shkrim para angazhimit të tij, për rreziqet në punë dhe për masat mbrojtëse të cilat obligohet t’i marrë.

Po ashtu, punëdhënësi sipas Ligjit për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë, ka përgjegjësi që t’i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për siguri dhe shëndet në punë, duke përfshirë edhe masat parandaluese kundër rreziqeve profesionale. Në anën tjetër, i punësuari është i detyruar ta informojë Inspektoratin e Punës në rast të ndonjë aksidenti me pasojë në lëndimin apo vdekjen e të punësuarit.

Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës janë definuar edhe dënimet për të gjitha shkeljet të cilat rezultojnë me lëndime apo vdekje në vendin e punës. Sipas nenit 367 të këtij Kodi, kushdo që dëmton ose heq pajisjet mbrojtëse duke rrezikuar jetën e punëtorëve dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet, ndërsa nëse pajisjet mbrojtëse nuk janë vendosur fare ose nuk janë mirëmbajtur, personat përgjegjës dënohen prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim.

Në rastet e lëndimeve më të rënda, personi përgjegjës mund të dënohet me 1 deri në 10 vite burgim, ndërsa nëse rasti pason në vdekjen e një apo më shumë personave përgjegjësi mund të dënohet prej 1 deri në 12 vjet burgim.

(Kosova Sot Online)