Historia tragjike e dy jetimëve shqiptarë, babai i tyre humbi jetën në një aksident horror

  • 23 May 2019 - 16:58
Historia tragjike e dy jetimëve shqiptarë, babai i tyre humbi jetën në një aksident horror

Ende nuk i është ‘tharë’ kujtimi i hidhur, të shoqin e ka përcjellë këtë muaj në varr. Trupi i Faikut do të shuhet nën dhe, kurse dhimbja e pamatë që provojnë çdo ditë dy djemtë e tij të mitur dhe Suzana, e shoqja, duket sikur nuk do të tretet kurrë.

Kjo është historia e familjes Kaca e cila jeton në një fshat të Librazhdit. Me vdekjen e Faikut, kryefamiljarit, familja jeton me të ardhura prej rreth 50 mijë lekësh të vjetra (40 euro). Me këto para Suzana dhe fëmijët 8 e 14 vjeçarë arrijnë mezi të shtyjnë pak javë, ndërsa për pjesën e mbetur të muajit është dhimbja dhe lotët ajo me të cilat ushqehen.

Image

Zamira tregon mes lotëve se i shoqi kishte shkuar të punonte në Greqi, por një aksident i rëndë i ka marrë jetën. Një frezë dorë e ka prerë duke e copëtuar. I dridhet buza kësaj gruaje, kur tregon për emisionin “shqiptarët për shqiptarët” se ka humbur gjithçka.

Zamira: Burri më iku në Greqi për të gjetur një punë, si gjithë bashkëfshatarët jetojmë në shtëpi të vjetra. Punonim në arë por nuk kishim shumë tokë. Burri ikte në Greqi vetëm tre muaj me pasaportë, paratë që fitonte nuk dilnin për të ngrënë. Iku më tha do punoj, ishalla të rregullojmë shtëpiat sepse kishim frikë se do na shembeshin.

I thashë eja nja tre- katër ditë sa të na shohësh dhe ik prap. Më tha ti e di si e kemi shtëpinë, nuk kam ku shkoj… më tha që do të punonte disa ditë më shumë që të rregullonim shtëpinë, pasi frikë kishim shumë, mos na zinte shtëpia brenda nga ndonjë borë… ai nuk erdhi, dhe pas 3-4 ditësh erdhi lajmi që… (qan)

Diçka e kuptova në darkë, nuk i shkonte zilja. Vetëm kur erdhën njerëzit këtu… nuk kishte dhimbje më të madhe në jetën time (qan) Më datë një maj vdiq, në tre erdhi trupi këtu. E ka kapur freza e dorës thanë.

Fatjoni, veçse 8 vjeç i shkruan ende letra të atit. I kërkon të kthehet nga emigrimi pasi shumë e ka marrë malli. Ai ka qenë i fundit që ka marrë vesh lajmin e kobshëm dhe ende ruan një “iluzion” se mbase gjithçka është një ëndërr e keqe. Kur trupi dhe sendet personale të Faikut erdhën në shtëpi, Suzana tregon se i është dashur të gënjejë vogëlushin e saj, duke i thënë se rrobat i kishte sjellë në Shqipëri pasi kishte të tjera atje, në vendin kur fatkeqësisht humbi jetën.

Image

Fatjoni:  Jam 8 vjeç, në klasën e tretë. Më pëlqen shumë shkolla e sidomos lënda e gjuhës. Atë ditë kur erdha nga shkolla nuk më treguan. Mami më thoshte që babi do të qëndrojë më shumë në Greqi. Ndihem i humbur sepse nuk kam babain… (qan) më mungon shumë. Kam shumë frikë sepse kur të vijë dimri dhe dëbora kam frikë se shtëpia do të na shkatërrohet.

Djali i madh e kupton më mirë se çfarë ka ndodhur. Kur përmes emrin e babait për emisionin “shqiptarët për shqiptarët”, sytë i mbushen. Babait i kishte premtuar se një ditë edhe ai do të shkonte në Greqi për ta ndihmuar me punët, për ta lehtësuar sado pak të atin nga barra e madhe e mbajtjes së frymës për një familje të tërë.

Djali i madh: Vinte na zgjonte në mëngjes… nuk jetohet dot pa atë. Më mungon shumë. Më duket sikur nuk ka ndodhur asgjë. Më duket sikur tani ai do të kthehet (qan). Më mungon shumë. I thoja gjithmonë që kisha shumë dëshirë të shkoja të punoja me të, por ja që nuk do të mundem kurrë.

E veshur me të zeza, Zamira tregon sesa të nxirë e sheh kuptimin e jetës së saj. E vetmja gjë që e mban ende janë dy fëmijët. Plagët janë të hapura dhe dhimbja është e thellë, por asaj i duhet të bëhet e fortë, pasi kushtet e shtëpisë i kujtojnë asaj se nga momenti në moment, banesa mund t’i shembet mbi kokë.

Zamira: Unë duhet të bëhem e fortë sepse nuk kam ku shkoj. Ai më thoshte, amanet fëmijët, më ruaj fëmijët, sikur ta ndiente se dika do ndodhte. Ai vetë u rrit jetim sepse nëna e ka lënë që një vjeç… e sot më la dhe mua e fëmijët jetimë. Dhimbja është shumë e madhe, nuk durohet. Mendja më rri vetëm tek ai, falem e lutem për të dhe fëmijët.

Shtëpia është plasaritur. Kullon brenda kur bie shi. Dhoma ime pikon më shumë, pasi ka rënë një copë e tavanit. Nuk e di sesi do të bëj tani, jetoj me një asistencë prej 48 mijë lekësh… të paktën sa për të blerë një thes me miell për të mbijetuar. Fëmijët e mi janë të vegjël, nuk punojnë dot në këtë moshë. Dua vetëm të jetoj që të rris këto fëmijë që më mbetën jetimë. Asgjë tjetër nuk kam më, përveçse këtyre fëmijëve, e zemra më dhemb çdo minutë.

Image

“Shqiptarët për shqiptarët” foli dhe me babain e Faikut të ndjerë. I ulur në një cep të shtëpisë, ai është krejt i përhumbur. Sytë i drejton në zbrazëtirë dhe të vetmet fjalë që thotë janë këto:

“Shpirtërisht jam i vrarë… shumë i vrarë. Shumë vështirë është.”

Me publikimin e këtij rasti të rëndë, Elvis Naçi tha se gjithçka do të bëhet për këtë familje shqiptare, në mënyrë që ata jetimë të mos humbasin më pjesë të shpirtit të tyre të trazuar.

Naçi: Ne nuk e sjellim dot në jetë Faikun, por të paktën atë ëndërr që ai la në mes për hir të fëmijëve të tij, ne mund ta arrijmë. Ne nuk e ndiejmë dot atë që ndiejnë ata fëmijë, ajo grua. Atyre nuk u pushojnë dot lotët, por ne mundemi t’i lehtësojmë dhimbjen e madhe duke i bërë një shtëpi të re. Atje është e mundshme të bëhet një shtëpi prej 100 metrash katrorë dhe shpresojmë që t’ia arrijmë asaj dhe më pas të mundohemi t’i gjejmë një pension atyre fëmijëve. Ne bashkarisht me të gjithë shqiptarët, shpresoj, mund t’ia arrijmë. T’i mundësojmë që edhe ata të qëndrojnë në këmbë.

(Kosova Sot Online)