Shpërthen Kelmendi: Lejet ndërtimore në Prishtinë, vetëm për interesa kriminale!

  • 24 May 2019 - 07:38
Shpërthen Kelmendi: Lejet ndërtimore në Prishtinë, vetëm për interesa kriminale!

Pas skandalit me videon e publikuar, ku flitet për dallaveret dhe korrupsionin e madh në komunën e Prishtinës me lejet e ndërtimit, e konkretisht tek rasti ku biznesmeni Faton Dalladaku i ankohet Kadri Rexhepit se Rrahim Hashimi nuk po ia kthen paratë, dhe se kontrata dhe leja për ndërtimin e spitalit nuk iu dha, ashtu siç iu premtua, Prof. i së drejtës Muhamet Kelmendi, thotë se ndihet i shokuar për këtë skandal se si po raportohet, por fatkeqësisht,ai e pasqyron të vërtetën për të cilën edhe sot janë dëshmitar të gjithë qytetarët e Prishtinës, për krimin që është bërë në vazhdimësi me leje ndërtimore, si para 10 e 15 vjetësh sikur që po bëhet edhe sot në mandatin e Shpend Ahmetit, kryetar.

Image
Muhamet Kelmendi

“Prishtina ka marr një pamje të rëndë. Krejt kjo vjen nga fakti i mos respektimit të planit urbanistik apo i mos ekzistimit të një e plani të tillë. Është e rëndë kur të kalohet nëpër lagjet e ndërtuara pas luftës ose kur ti shikosh objektet vend e pa vend të ndërtuara në Prishtinë, të cilat vetëm me një kriminalitet të theksuar financiar, kuptohet të komunës, mund të lidhen dhe të lejohen si të tilla për tu ndërtuar”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Madje, falë dhënies së lejeve ndërtimore me ryshfet, Kelmendi thotë se janë degraduar disa nga lagjet më të mira që ka pasur Prishtina në të kaluarën.

“Në Prishtinë janë prishur disa lagje të ndërtuara dhe shumë funksionale. Tash nuk ka më Lagje të Muhaxhirëve, nuk ka lagje të Aktashit, as Lagje të Spitalit, nga Prishtina e vjetër e deri në Matiqan. Këto lagje, duke marr edhe shumë objekte të tjera gjerësisht deri edhe te Veterniku, deri te Lipjan, janë shndërruar në hapësira dhe toka ndërtimore, me shtëpi dhe objekte të larta dhe të pa fund, pa ndonjë plan të mirë organizuar dhe të dizajnuar me të gjitha elementet urbanistike. E tërë kjo vjen nga lejet e organeve të komunës së Prishtinës”, theksoi Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Skandali që ka ndodhur me këto ndërtime të reja, sipas Kelmendit, me leje ndërtimore të korruptuara, ka të bëjë me atë se nuk ka rrugë, nuk ka as gjelbërim të mjaftueshëm dhe në ato lagje nuk ka as objekte sociale dhe të infrastrukturës përcjellëse.

“Pra, janë lagje tipike të ndërtuara mbi interesa kriminale. Vetëm lagja tek Aktashi , në anën e majtë, mjafton për të konstatuar krimin dhe korrupsionin. Prandaj unë e them pa asnjë rezervë se nuk ka fare dyshim se ekziston dyshimi i bazuar, dhe nëse shikohen lagjet dhe objektet e ndërtuar nga ekspertët e fushës së ndërtimit, del konstatimi se aty ka kriminalitet.

Mirëpo vërtetimi i kësaj gjendje ju takon prokurorëve të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, të cilët janë në gjumë, ose janë të “përgjumosur” nga firmat e ndryshme ndërtimore”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online” .

(Kosova Sot Online)