Akuzon Zeqa: Video skandali me ryshfetin për leje ndërtimore në Prishtinë, test për prokurorinë!

  • 24 May 2019 - 10:53
Akuzon Zeqa: Video skandali me ryshfetin për leje ndërtimore në Prishtinë, test për prokurorinë!

Pas zbardhjes së skandalit, përmes videos së publikuar me biznesmenin Faton Dalladaku dhe bisedat e tij për lejen ndërtimore për ndërtimin e spitalit, e cila nuk iu dha, ashtu siç iu premtua,reagoi analisti politik Florim Zeqa, i cili thotë se "kjo është pasqyra reale dhe tepër e argumentuar se si ka funksionuar dje por edhe si funksionon sot pushteti lokal I Prishtinës, se si realisht merren lejet ndërtimore në këtë komunë, me krim e korrupsion që është ndërmjetës në lidhjet institucionale e që shkon deri te kryetari i I Komunës.

Image
Florim Zeqa

Mirëpo kjo përtej kësaj flet se çfarë prokurorie kemi dhe si funksionon ky sistem".

“Publikimi i videos së dhënies së parave për leje ndërtimore, përveç se video skandal, është dëshmi publike e radhës për Prokurorinë. Edhe pse është e tillë, pra dëshmi publike, rrezikon të mos merret në shqyrtim nga ana e prokurorisë shkaku se në video përmendet emri i një udhëheqësi të lartë shtetëror. Sa herë që është kështu, prokurorët e kanë të vështirë të veprojnë, ani pse këto dëshmi i kanë në dispozicion që nga viti 2013”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sidoqoftë Zeqa është i sigurt që kjo traditë korruptive, e incizuar para 6 vitesh, vazhdon edhe sot e tutje dhe rasti i bërë publik përmes video përgjimit nuk është i vetëm, janë edhe me qindra raste të tjera në komunën e Prishtinës dhe mijëra në mbarë Kosovën.

“Për shkak se asnjë leje ndërtimore për këto 20 vite në komunën e Prishtinës dhe mbarë Kosovën nuk është lëshuar pa dhënë ryshfet, siq ka dhënë z. Dalladaku në videon e publikuar. Nuk ka pasur dhe nuk ka shanse edhe në këto dy mandatet e Shpend Jahtit të merr dikush leje në komunën e Prishtinës pa i dhënë ryshfet kryetarit të komunës dhe grupeve kriminale ndërmjetësuese”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online “.

(Kosova Sot Online )