Vjen kërcënimi i Vuçiqit për Kosovën

  • 24 May 2019 - 13:41
Vjen kërcënimi i Vuçiqit për Kosovën

“Kemi përgatitur masa të fuqishme dhe të ashpra kundër Kosovës, por do të shikojmë që me to mos t’i rrezikojmë njerëzit tanë në Kosovë. Me serbët e Kosovës do të takohemi sërish pas takimit në Paris”, ka deklaruar presidenti serb Aleksandar Vuçiç

Ai ka shtuar se janë në dijeni se forcat speciale të policisë së Kosovës, ROSU, janë në gjendje gatishmërie dhe ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare që të pengojnë ‘qëllimin për arrestimin e serbëve’.

Siç ka deklaruar ai, në Paris nuk do të ketë kurrfarë bisedimesh për Kosovën dhe statusin e saj, nuk do të ketë kurrfarë bisedimesh pa heqjen e taksave.

“Hiqni taksat, do të bisedojmë për çka të doni, nëse nuk i hiqni, do të bisedojmë për kohën e bukur dhe të keqe. Për dialogun nuk ka bisedime derisa të filloni të respektoni normat e të drejtave ndërkombëtare dhe kjo do të jetë porosia ime për kancelarin gjermane dhe presidentin francez”, ka deklaruar Vuçiç pas takimit me liderët e serbëve të Kosovës.

Ai ka theksuar se Serbia ka përgatitur masa të ashpra kundër Kosovës dhe se në fuqi do të hyjnë pas takimit në Paris që mbahet në fillim të korrikut.

“Do të shohim që ato mos t’i prekin serbët e Kosovës, për këtë arsye janë të kufizuara, por shumë të fuqishme dhe të ashpra. Nuk do t’i aplikojmë ato pa përfunduar takimi në Paris”, ka thënë Vuçiç.

(Kosova Sot Online)