Pavarësisht sulmit me bombë, Daçiq prapë do të shkonte në Somali, veç ta arrijë qëllimin për Kosovën

  • 24 May 2019 - 14:22
Pavarësisht sulmit me bombë, Daçiq prapë do të shkonte në Somali, veç ta arrijë qëllimin për Kosovën

Sigurisht se do të shkoja përsëri në Somali, dhe gjithkund tjetër në Afrikë. Në këto shtete s’ka qenë kush me dekada, prandaj mund të presim mbështetje, ka thënë ministri i punëve të jashtme i Serbisë, Ivica Dacic

Dacic e ka thënë këtë për gazetën serbe “Danas”, i pytur se a do të shkonte përsëri në Somali, meqë pardje ka ndodhur një sulm terrorist afër pallatit presidencial në Mogadishu, mu në kohën kur në atë ndërtesë ai po bisedonte me kryetarin e Somalisë Muhamed Abdullah Muhamed Fermajo.

Gazeta ka pyetur edhe shefin e dikurshëm të diplomacisë serbe Vladislav Jovanovic për ta komentuar vizitën e Dacicit në Somali, vend i cili, sipas tij, “është e shkatërruar tash e tri dekada”, por se “është me rëndësi pse një zyrtar serb ka shkuar atje”.

“Nëse Somalia, si shtet mysliman, vërtet e tërheq njohjen e Kosovës, kjo mund të paraqesë shembull edhe për shtetet tjera myslimane në Afrikë, para së gjithash për Sudanin e Egjiptin, Prandaj, është mirë që Dacici e ka vizituar Mogadishun”, ka thënë Jovanovic.

Në një artikull tjetër të po kësaj gazete. me titull “Regjimi po i qaset një ekzibicionizmi të rrezikshëm”, analistë të tjerë kanë thënë se Beogradi zyrtar duhet të forcojë lidhjet politike e ekonomike edhe me shtetet e Afrikës, por ashtu që të mos i rrezikojë interesat kryesore të politikës së jashtme të Serbisë, duke përfshirë edhe anëtarësimin në BE.

(Kosova Sot Online)