Kosova udhëhiqet nga bandat, analfabetët dhe hajnat

  • 24 May 2019 - 16:30
Kosova udhëhiqet nga bandat, analfabetët dhe hajnat

Ditët e fundit, skena politike dhe krerët e institucioneve, janë vënë në thumb të kritikave të ambasadorëve të huaj për lidhjet e tyre me krimin dhe korrupsionin, duke u kërcënuar hapur edhe me  ndërmarrjen e masave ndaluese për të udhëtuar në shtetet e tyre. Analisti politik Ramiz Bojaj, këtë frymë të re kritike të  ambasadorëve të huaj  e sheh si afrim i momentit të shumë pritur nga qytetarët e që ka të bëjë me izolimin e plotë të kësaj klase politike të korruptuar nga bota demokratike, në mënyrë që të gjithë të etiketuari më pastaj të ndëshkohen , nëse jo nga ligji, nga populli po se po nëpërmes votës  në zgjedhje.

“Banditizmi qeverisës duke përfshirë presidencën, kuvendin dhe qeverinë, bashkë me klanet e tyre në opozitë, media, polici, gjykata,  e kanë dërguar vendin në mos durim ndërkombëtar, duke lëkundur edhe miqësinë tradicionale me SHBA-në, Gjermaninë, Anglinë. Masat e izolimit ndërkombëtar për politikanët tanë, janë shenja se oligarkët tanë duhet ta përjetojnë fundin e tyre”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”. Sado serioze që janë këto paralajmërime, tash për tash, sipas Bojajt, politika dhe   mafia nuk do të  dorëzohet lehtë, sepse mafiozët e tërbuar e të frikësuar nuk njohin principe, nuk njohin  moral as përgjegjësi. “Këta njohin vetëm para, pushtet e jetë të  shfrenuar. Kosova udhëhiqet nga bandat më të gërditshme, nga analfabetët më të prapambetur, nga hajnat më klasikë, nga servilët më të paskrupullt, të cilët rrënuan e shkatërruan gjithçka, e krejt në fund e kanë hedhur në pazar edhe vet sovranitetin e vendit, kufijtë dhe ekzistencën e shtetit tonë. Prandaj këta pushtetarë, jo vetëm që duhet të izolohen, por këta oligarkë duhet të kapen nga drejtësia për krimin ekonomik e politik që ia kanë bërë atdheut tonë”, tha Bojaj për "Kosova Sot Online “.

Ai ka thënë se këto rrjete kriminale duhet të izolohen edhe nga vetë populli, sepse kushti si janë,  duke u vetë izoluar në geto, klanet mafioze po e përdorin popullin si masë mburoje për fatin e  tyre, gjithnjë duke krijuar kriza, duke shkaktuar situata pasigurie për sigurinë e këtushme por edhe për vet shtetin e Kosovës.

“Duhet të përmendim edhe këtë se Kosova është në rrezik të madh nga mafia e egër pushtetare, e cila para se të fundoset në kurthet e veta, paraprakisht tenton ta varrosë popullin dhe shtetin e Kosovës”, theksoi analisti Ramiz Bojaj për “Kosova sot Online”.

Këtu sipas Bojat, "fjala është për grupet politike të cilat kohë pas kohe kanë bashkë qeverisur me banditët e SHIK-ut"

“Prandaj populli duhet ti heqë qafe hajnat e kriminelët e shantazhuar, të del nga getoja, e të shkojë në rrugën e zhvillimit ekonomik, të drejtësisë, sigurisë,  për të filluar ndërtimin e mirëfilltë të shtetit ligjor”, theksoi Bojaj per “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )