Deputeti i LDK’së: Jemi pjekur, faza e rrahjeve dhe përplasjeve ka kaluar

  • 24 May 2019 - 22:57
Deputeti i LDK’së: Jemi pjekur, faza e rrahjeve dhe përplasjeve ka kaluar

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi i ka quajtur rrahjet dhe përplasjet në degën e Mitrovicës sporadike dhe tashmë të kaluara.

Sipas tij pavarësisht zhvillimeve të rënda politike në Kosovë por edhe në LDK faza e rrahjeve dhe përplasjeve nëpër degë ka kaluar.

“Tash jemi në një fazë të re ku të gjithë jemi më të pjekur, më të vetëdijshëm. Ka qenë proces edukimi edhe për ne – në politikë me kalimin e kohës edhe edukohesh sepse jeta të mëson sfida, të mëson se duhet ta pranosh mendimin e tjetrit dhe marrjen e përgjegjësive për veprimet apo mosveprimet e tua. Rasti në Mitrovicë është sporadik dhe nuk do të përsëritet dhe do të angazhohemi që kjo mos të ndodhë dhe krejt faktorët kryesorë në LDK po punojnë që kjo mos të ndodhë dhe të menaxhohet mirë dëshira e madhe e njerëzve që të vijnë në LDK dhe atyre t`ju ipet mundësia ta thonë mendimin e lirë të tyre politikë”, ka thënë Gashi

Gashi ka treguar edhe për rolin e Avdullah Hotit në ditën kur ka ndodhur incidenti në një nëndegë në Mitrovicë.

“Mitrovica nuk do të përseritet në asnjë rrethanë sepse aty kanë qenë më shumë se 300 vetë dhe struktura e degës nuk ka qenë e gatshme të menaxhoi ka pasur shumë njerëz sepse nuk e kanë pritur që do të jetë kaq në numër. Për mendimin tim rasti në Mitrovicë është i kaluar dhe duhet të mbetet si e tillë dhe mua më vjen keq çfarë ka ndodhur në Mitrovicë. LDK do të jetë e bashkuar me Faton Pecin si kandidat dhe kryetarin aktual Safet Kamberajn”.

“Avdullah Hoti ka qenë në monitorim dhe po i ngarkohen shumë më shumë përgjegjësi sesa që ka. Ai ka qenë monitorues dhe kur ka filluar tensionimi i situatës ai është larguar dhe ndoshta është dashur të ndërpritet procesi kur ka filluar tensionimi për ta parë një zgjidhje më vonë, por kjo është e kaluar, nuk ka pasoja të mëdha nuk ka të lënduar, thjeshtë tension politikë”, ka thënë Gashi.

(Kosova Sot Online)