Alarmon Zeqa: Kosova e mbërthyer në krim të organizuar!

  • 25 May 2019 - 12:52
Alarmon Zeqa: Kosova e mbërthyer në krim të organizuar!

Duke u bazuar në Raportin e publikuar nga Observatori i Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore, dhe konstatimet shqetësuese për gjendjen e krimit dhe korrupsionit, veprimtarive kriminale që zhvillohen në disa pjesë të territorit të Kosovës, me theks të veçan pjesës veriore, analisti politik Florim Zeqa, thekson se ky raport vetëm sa i forcon të dhënat e raporteve të tjera të mëhershme që flasin për mungesë të kontrollit të institucioneve të shtetit në gjithë territorin, me instrumentet sundimit të ligjit që akoma janë të brishta, të politizuara dhe jo funksionale.

Image
Florim Zeqa

“Jo vetëm ky raport, por edhe raporte te tjera nga BE, DASH-i dhe organizata tjera hulumtuese, e ngritin si shqetësim "trekëndëshin e krizës" (Kufiri me Serbinë, Maqedoninë e Veriut pjesën e Veriut të Kosovës , shkaku i shkallës së ulët të zhvillimit ekonomik, pa qëndrueshmërisë, kufijve poroze, trafikimit të qenieve njerëzore dhe mallrave, shkaku i qeverisjes së dobët, të cilat janë bërë produkt i krimit të organizuar, e në veçanti veriu i Kosovës si një zonë gri me aktivitete të paligjshme dhe shumë të rrezikshme për sigurinë e rajoni”, tha analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Ai po ashtu ka shtuar se Kosova si vendi i vetëm i izoluar në Ballkan, është bërë peng i politikanëve të inkriminuar dhe korruptuar, fajdegjive dhe haraç kërkuesve, hajdutëve dhe kriminelëve që nuk i pengon askush.

Prandaj, si produkt i kësaj situate, Kosova me të gjitha institucionet, si në nivelin mendorë ashtu edhe atë lokal, duke përfshirë të gjitha institucionet, edhe ato të drejtësisë, është bërë peng i mafies dhe klaneve kriminale.
“Pra, Republika e Kosovës është e mbërthyer komplet në krim të organizuar, korrupsion, fajde e haraç si asnjë vend tjetër në rajon.

Për këto shkaqe dhe arsye të interesave më të zgjeruara të fuqive perëndimore në Ballkan, mbase vuajtjet e popullit kosovare do të zgjatin edhe për një kohë, për aq sa do të zgjatet edhe rruga e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe OKB”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )