Lista Srpska: Për vendimet tona konsultohemi me Serbinë

  • 25 May 2019 - 16:02
Lista Srpska: Për vendimet tona konsultohemi me Serbinë

Politika e pushteti në veri të Kosovës është e pandashme nga politika e kreut shtetëror të Serbisë dhe të gjitha problemet do t’i zgjidhim bashkë, kanë thënë sot kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq dhe kryetari i komunës së Zubin Potokut, Stevan Vuloviq.

Ata, pas takimit të djeshëm të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës për rts kanë treguar se cilat janë vijat e kuqe kur përfaqësuesit e serbëve të veriut do t’i braktisin institucionet e Kosovës.

“Do të vendosim bashkë me shtetin tonë Serbinë dhe do të marrim vendime në interes të popullit tonë. Nëse ndiejmë nevojën se është më së miri të dilet nga institucionet qendrore, që të dalim nga të gjitha institucionet ku jemi integruar, këtë vendim do ta marrim në harmoni me kreun tonë shtetëror. Deri më atëherë do të përpiqemi t’i mbajmë nën kontroll të gjitha institucionet”, citon ‘rtv kim’ të ketë thënë Simiq.

Duk konstatuar se është e qartë që Kosova nuk do ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, Simiq ka thënë se para serbëve gjenden shumë sfida, pasi, ka vlerësuar ai, Kosova po përpiqet që dialogun ta shndërrojë në situatë konfuze dhe ta destabilizojë veriun.

“Duhet të ruhemi nga kjo dhe të marrim vendime të drejta e të fuqishme”, ka thënë Simiqi.

Në pyetjen se me cilat sfida ballafaqohen kryetarët e komunave në veri pasi ta rimarrin detyrën, Vuloviq ka thënë se ato janë mëdha dhe ka shtuar se në Kosovë “problemet po zgjasin në mënyrë konstante”.

Ai ka theksuar se përfaqësuesit e serbëve në veri janë unikë dhe ky unitete, sipas tij, është i nevojshëm për ta penguar Kosovën “të reagojë në mënyrë brutale në veri”.

“Ujmani është shumë i rëndësishëm për shqiptarët dhe për serbët, rreth 600-700 mijë banorë pinë ujë të Ujmanit . E termocentrali në Obiliq nuk mund të prodhojë rrymë pa ujë të Ujmanit”, ka thënë ai duke vlerësuar se Ujmani është njëri nga problemet më të kryesore në Kosovë, por që mund të jetë edhe pajtues.

(Kosova Sot Online)