Alarmon Aliu: Kosova po sundohet nga rrjetet e krimit të organizuar!

  • 26 May 2019 - 07:55
Alarmon Aliu: Kosova po sundohet nga rrjetet e krimit të organizuar!

Analisti politik Bislim Aliu, e ka parë dhe analizuar me shqetësim raportin e fundit të publikuar nga Observatori i Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore, I cili e përshkruan edhe Kosovën si pjesë e “trekëndëshit të krizës”, ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë Jugore, e cila për shkak të zhvillimit të ulët ekonomik, paqëndrueshmërisë, kufijve porozë dhe qeverisjes së dobët, është e ekspozuar ndaj krimit të organizuar, ndërkaq Veriu i Kosovës përmendet në veçanti si një zonë gri dhe e përshkuar nga aktivitete të paligjshme.

Image
Bislim Aliu

Sipas Bislim Aliut kjo gjendje flet shumë për brishtësinë e funksionimit të të gjitha shtyllave të shtetit të Kosovës, e së më tepërmi të institucioneve të sundimit të ligjit. Kjo gjendje më së miri krahasohet dhe analizohet nëse e marrim rastin më të freskët skandal, që është rasti I fajdeve, e që sipas Bislim Aliut është fakt I pa mohueshëm që Kosova është bërë peng i fajdexhinjëve dhe kriminelëve të lidhur me politikën. Bislim Aliu po ashtu thotë se Kosova me të gjitha institucionet, si në nivelin qendror ashtu edhe në ate lokal, duke përfshirë edhe të gjitha institucionet e drejtësisë, është bërë peng I mafies dhe karteleve Kriminele ngase krimi dhe korrupsioni e kanë mbërthyer komplet Republikën e Kosovës.

“ U pa dhe i analizuar Raporti i publikuar nga Observatori i Shoqërisë Civile,i cili për fat të keq e përshkruan Kosovën kundër krimit të organizuar në Evropën Juglindore, si pjesë e "trekëndëshit të krizës", ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë Jugore, e cila, për shkak të zhvillimit të ulët ekonomik, paqëndrueshmërisë, kufijve porozë dhe qeverisjes së dobët, është ekspozuar ndaj krimit të organizuar. Sidomos është shqetësuese gjendja në Veriun e Kosovës, e cila përmendet në veçanti, si një zonë gri e krimit dhe e kontrabandës, si një zonë e të gjitha veprimeve të mundshme që zhvillohen atje krejtësisht në mënyrë të paligjshme”, tha Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”.

Sipas Aliut, nga fakti që në Kosovë Prokurorja, policja hetimore dhe gjykatat nuk tregojnë as minimumin e efektivitetit në luftën kundër rrjeteve kriminale, Kosova po mbetet peng i këtyre rrjeteve, duke përfshirë edhe rritjen e vazhdueshme të fajdenxhinjëve. “Kjo është vetëm njëra nga segmentet e krimit që po zhvillohet në këtë vend. Fatkeqësisht kjo tregon se si Kosova me të gjitha institucionet është në pikën zero, si nuk funksionon asgjë që ta të bëjë me rendin dhe ligjin, Pra shteti është i kapur si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal, duke i përfshirë edhe të gjitha institucionet e drejtësisë. Jemi një shtet i ri por që në këtë fazë po mbetemi peng i mafisë dhe Kartelave kriminale që veprojnë lirshëm e janë mbi ligji, ndaj me keqardhje mundë të themi se Republika e Kosovës, është e mbërthyer komplet nga korrupsioni, krimi i organizuar dhe i strukturave mafioze”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )