Vullnetarëve pritet t’iu numërohet përvoja e punës

  • 26 May 2019 - 10:41
Vullnetarëve pritet t’iu numërohet përvoja e punës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kishte bërë të ditur në prill të këtij viti prezantimin dhe diskutimin e projekt-ligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë.

Ministri Kujtim Gashi po ashtu kishte përmendur si shumë të rëndësishme fuqizimin e qendrave rinore, pasi siç tha, aktualisht nuk janë duke funksionuar.

Ky projektligj pritet të hidhet në votim brenda këtij viti.

Lajmin për media e ka bërë të ditur ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

“Grupi punues i caktuar me vendim te veçantë ka filluar punën për hartimin  e draftit fillestar te Projektligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Fuqizim dhe Pjesëmarrje te Rinise, si njeri ndër prioritetet e këtij viti ne sferën e përmirësimit dhe të avancimit të legjislacionit në fushën e rinisë”

 “Mund ta konfirmoj se grupi punues është duke punuar maksimalisht dhe mendojmë që ky projektligj do të kaloj në qeveri gjatë këtij viti, më saktësisht në fund të vitit”, tha Gashi.

Në këtë projektligj pritet të vendoset për punën vullnetare të të rinjëve ashtu siç do e parashohin ekspertët e ekipës punuese që kanë mandatin për ta hartuar projektligjin.

“Duke pas parasysh ndjeshmërinë qe ka ky projektligj ne do te mundohemi qe sa me shume persona juridik dhe fizik ti përfshijmë ne diskutime”, shtoi ministri Gashi.

 Shoqëria civile është treguar mjaft e kënaqur për këtë lajm. Sekretari i Kuvendit të të Rinjëve të Kosovës, Ndriçim Çekaj, ka thënë se e mirëpresin këtë lajm sepse tash e një kohë ndryshimi i këtij ligji ka qenë i nevojshëm.

“Duke e ditur se njëra prej shkaqeve që ka shtyer ndryshimin e ligjit aktual është edhe nevoja për njohjen e punës vullnetare, kemi shpresë se kjo do të jetë një arsye më tepër që rinia të angazhohet më shumë duke e ditur se puna e tyre vullnetare jofitimprurëse në aspektin material do të njihet si pervojë pune, gjithashtu besojm se kjo do të rritë edhe deshirën e të rinjve për tu formalizuar në struktura rinore, lokale e qendrore për të shtyer përpara interesat e tyre si të rinjë në mbarë Kosovën”, ka thënë Çekaj.

Tutje Kuvendi i të Rinjëve ka shtuar se është i gatshëm të ndihmojë MKRS’në në hartimin e draftit final të këtij projektligji.

(Kosova Sot Online)