Sistemi I drejtësisë të pastrohet urgjentisht përmes VETTING-ut

  • 26 May 2019 - 12:00
Sistemi I drejtësisë të pastrohet urgjentisht përmes VETTING-ut

Duke i përcjellë të gjitha zhvillimet e fundit në Kosovë, si në sistemin e drejtësisë edhe në politikën e  korruptuar dhe të inkriminuar, analisti politik Florim Zeqa  thotë se "është  moment i duhur që faktori ndërkombëtar  më detyrim t’ia imponon politikës kosovare bërjen urgjente dhe zbatimin e ligjit të Vetingut, edhe për drejtësinë edhe për politikën.  Kjo është edhe një kërkesë e vazhdueshme qytetare, prandaj analisti Zeqa thotë se tani edhe qytetarët duke e parë rrjedhën e skandaleve, me të drejt krijojnë përshtypjen për një orkestrim të veprimeve, gjegjësisht për një lojë të pushtetarëve me ato skandale."

Image
Florim Zeqa

“Pas skandalit me foton pornografike në Kuvend, shfaqja e skandalit të fundit me fajdet, duket të jetë bërë për të mbuluar skandalin e Flora Brovinës! Mirëpo për shkak të mos studimit të këtij rasti, arrestimi i “Currit” e shpërfaqi një  luftë bandash për përfitime personale, në të cilën dolën të përfshirë edhe zyrtarë të lartë shtetërorë. Praktika e PDK-së për mbajtjen e pushtetit përmes krizave artificiale e shoqëruar me skandale po vazhdon”, tha analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”. 

 Në këtë situatë të krijuar, analisti Zeqa e sheh krejtësisht "jashtë funksionit dhe jashtë përgjegjësisë edhe të parin e qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinajn. Shtrohet pyetja, ku është kryeministri i vendit që nuk e ndërmerr as një hap të vetëm konform kompetencave kushtetuese, dhe nuk e fletë një fjalë për prokurorët dhe gjykatësit të cilëve ua dyfishoi pagat në fillim te mandatit të tij, nën arsyetimin, kinse për ngritjen e efektivitetit në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mbetët e pashpjegueshme heshtja e kryeministrit Haradinaj ndaj dy skandaleve të fundit. Mos kërkimi i llogaridhënies e tregon pafuqinë politike të Haradinajt si kryeministër i koalicionit PAN”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot Online”. 

Njëherit, me këtë, sipas Florim Zeqës,  "po vërtetohet kapja e tmerrshme e sistemit të drejtësisë nga strukturat e PDK-së, si dhe po dëshmohet çdo ditë e më shumë me fakte, se strukturat e sigurisë dhe drejtësisë janë të lidhura deri në palcë me grupet kriminale dhe nëntokën politike. Kjo është arsye plus pse Kosovës i duhet VETING-u me urgjencë."

“Mbyllja e syve nga prokuroria, policia dhe gjykatat ndaj rasteve të zyrtarëve të lartë të involvuar në krim të organizuar dhe korrupsion të nivelit të lartë paraqet zhytjen e vendit në anarki ligjore. Gjykatësit dhe prokurorët, edhe pse të stimuluar nga kryeministri i vendit, nuk arritën të dëshmojnë vetën në asnjë rast të vetëm të aferave korruptive dhe skandaleve të njëpasnjëshme. Prandaj, është nevojë urgjente që të bëhet një VETTING rreptë, i monitoruar nga mekanizmat ndërkombëtare, për pastrimin e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë nga zyrtarët e inkriminuar në krimin e organizuar, i cili e hapë rrugën për pastrimin e skenës së tej inkriminuar politike kosovare”, tha  Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )