Mungesa e reformës zgjedhore, sërish abuzime industriale të votës

  • 27 May 2019 - 07:39
Mungesa e reformës zgjedhore, sërish abuzime industriale të votës

Analisti politik Nexhat Haziri ka akuzuar partitë politike se qëllimisht nuk po e shtyjnë përpara procesin e reformës zgjedhore sepse reforma sipas tij nuk po i konvenon as një partie politike, liderëve të tyre. “Këtë e vërteton më së miri edhe zhagitja e saj për një kohë të gjatë, që nga viti 2011, kur u paraqit nevoja për këtë reformë për shkak të deformimit të procesit zgjedhor të vitit 2010.

Image
Nexhat Haziri

Reforma zgjedhore ishte edhe rekomandim i OSBE-se, partnerëve ndërkombëtar dhe organizatave të tjera ndërkombëtare që merren me monitorim të proceseve zgjedhore, por përkundër këtyre rekomandimeve, partitë politike në Kosove, sidomos liderëve të tyre si duket po iu përshtatet ky model aktual për të ruajtur ndikimin e tyre në parti por edhe në të zgjedhurit e tyre, por edhe mundësia më e lehtë e manipulimit të rezultateve edhe përbrenda llojit të vetë”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

E sipas Nexhat Hazirit, "mungesa e gatishmërisë për reforme zgjedhore shpërfaq po ashtu mungesën e demokracisë së brendshme në partitë politike e cila domosdoshmërish reflekton edhe në funksionimin e institucioneve të shtetit në të dy nivelet që nga ai lokal deri te ai qendror. Ndërsa aktualisht Kosova është në krizë të thellë politike dhe institucionale dhe reforma zgjedhore, sipas Hazirit tani kontestohet me arsye të ndryshme si nga pozita edhe nga opozita".

“Nga partitë në pushtet si një mundësi që përmes fillimit gjoja të kësaj reforme t'ia mundësojnë vetës vazhdimin e mandatit të rregullt, ndërsa nga opozita hyrja në procesin e reformës zgjedhore në këtë kohë e shohin si pengesë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Kështu që unë nuk shohë mundësi që kjo reformë të behet tani për tani, dhe vendi do të shkoj në zgjedhje të parakohshme me modelin e vjetër zgjedhor i cili nuk garanton një proces të rregullt zgjedhor dhe të padiskutueshëm”, theksoi analisti Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online “.

(Kosova Sot Online )