Krasniqi: Po të kishte drejtësi, i gjithë klani "Pronto" do të ishin në burg!

  • 27 May 2019 - 07:43
Krasniqi: Po të kishte drejtësi, i gjithë klani

Reagimin nga ana e Presidentit Hashim Thaçi, rreth video incizimeve që tregojnë zhvillimet rreth krimit më fajde, e në të cilat video aktorët përkatës e apostrofojnë edhe Kadri Veselin për marrjen e 200 mijë eurove, analisti politik Faik Krasniqi e ka quajtur "ndërhyrje direkt në drejtësi nga ana e të parit të vendit, ngase Presidenti Thaçi sikur ka garantuar paraprakisht që Kadri Veselit për skandalin e fajdeve është krejtësisht i pa fajshëm, madje duke e cilësuar Veselin si figurën më të pastër në institucionet e Kosovës, që sipas Hashim Thaçit shquhet për pastërtinë e tij , për moralin dhe etikën e tij të punës dhe hetuesia duhet ta kryej punën e vet sepse po shihet që ai veç është një viktimë e maskarallëkut".

Image
Faik Krasniqi

Mirëpo kështu nuk mendon analisti Krasniqi, i cili thotë se "po të kishte drejtësi të pa varur, të gjithë nga klani Pronto do të ishin në burg".

“Se drejtësia në Kosovë është e ndikuar nga politika, nuk është diçka e re. Sikur të kishim drejtësi të pandikuar nga politika, pjesa më e madhe e politikanëve do të duhej të ishin në burg”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Krasniqit, "për ta pasur nën kontroll të thellë këtë sistem klani Pronto me kohë i ka instaluar në prokurori dhe gjykata njerëzit e vetë".

“Prej fillimit Klani Pronto është kujdesur që organet e drejtësisë ta kenë në anën e tyre, në mënyrë që të zhvillojnë lirshëm aktivitetin e tyre kriminal. Çdo emërim i prokuroreve dhe gjykatësve, ka shkuar përmes filtrave të këtij klani mafioz”, tha analisti Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Ai është i sigurt që "ndërhyrja e presidentit me deklaratë publike që garanton pafajësinë e veselit, do të rezulton ashtu dhe rasti do të mbyllet shumë shpejtë".

“Prandaj edhe ky rast do të mbyllet sikur s'ka ndodhur asgjë, sikurse edhe qindra raste të tjera kur kanë pasur të bëjnë me njerëzit e Klanit Pronto”, theksoi Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )