Ja pse drejtësia dhe politika Kosovare i frikësohen Vetting-ut!

  • 27 May 2019 - 10:20
Ja pse drejtësia dhe politika Kosovare i frikësohen Vetting-ut!

Të shqetësuar me skandalin e fundit rreth çështjes së fajdeve, dhe  përfshirjes në këtë skandal edhe të  figurave të larta publike, njohësit e  sistemit të drejtësisë thonë se  është koha e fundit kur Kosova do të duhet të  zbatonte pastrimin e drejtësisë dhe të politikës nëpërmes procesit të mirënjohur si proces VETTING-u.

Image
Skender Kapiti

Për të mos u përsëritur  skandale të tilla, sipas njohësit të kësaj fushe Skënder Kapiti, "me urgjencë Kosova do të duhej ta bënte ligjin Vetting, por kjo kastë politike e pa përgjegjshme  nuk po jep shenja që është gati ta bëjë atë, edhe pse po  dëshmohet çdo ditë e më shumë me fakte, se strukturat e sigurisë dhe drejtësisë janë të lidhura deri në palcë me grupet kriminale".

“Prej pushtetit të keq e të kriminalizuar dhe prej drejtësisë e institucioneve shtetërore të korruptuara priten vetëm dështime , trauma e dëme shoqërore dhe skandale e turpe publike. Politika anti publike dhe e interesave personale e shfrytëzon shtetin , drejtësinë dhe shoqërinë vetëm për interesa e privilegje private. Politika e mbrapshtë dhe pushteti i keq dhe anti publik i saj monton sistemin oligarko-kriminal dhe hajdutokrat duke kapur sistemin e drejtësisë dhe të gjitha institucionet shtetërore dhe ato shoqërore e mediatike duke perfeksionuar mashtrimet, korrupsionin, hajninë  dhe paligjshmërinë”, tha Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”. 

Ai ka pohuar se "pavarësisht opinionit , vlerësimit, gjykimit dhe kritikës publike të opinionit të brendshëm , dhe pavarësisht edhe kushteve të BE-së për të ngritur shtetin ligjor, për zbatimin e ligjit dhe të drejtësisë, për luftë kundër krimit të organizuar e korrupsionit, politikë sillet sikur askush nuk bën dhe nuk thotë asgjë sepse i rrezikohet pozita, prandaj alternativ  e vetme mbetet presioni ndërkombëtar dhe ai qytetar".

“Politika dhe pushteti nuk pyesin por vetëm sa verbërohen dhe eshtohen duke ju rritur edhe oreksi edhe etja akoma me shumë për pushtet, korrupsion dhe për pasuri në rrugë antiligjore e vjedhjeje.  Ndoshta edhe në Kosovë ka ardhur koha dhe duhet të ngrihen qytetarët për ndryshimin,  të paktën që ta detyrojnë politikën kosovare  për miratimin e VETTING-ut, pasi as opozita atje me sa duket nuk është dakord për një VETTING në drejtësi dhe të politikës”, tha Kapiti për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )