"Drejtësia e ndikuar nga politika, ka provuar që t`i zhdukë provat"

  • 27 May 2019 - 15:30

Tek sa po vazhdon seria e publikimit të video incizimeve lidhur me skandalin e fajdeve dhe apostrofimin e vazhdueshëm të emrit të Kadri Veselit në ato video, përveç mohimit të përfshirjes në këtë aferë nga vetë Kadri Vesli, ka reaguar edhe Presidenti Hashim Thaçi duke i dalë në mbrojtje kryetarit të PDK-së dhe kryetarit të Kuvendit z. Veseli. Ai ka thënë se skandali i fundit ku u përmend edhe emri i kreut të Kuvendit, Kadri Veseli, si i përfshirë në aferën e fajdeve, është maskarallëk kurse Veseli është viktimë e këtij maskarallëku. Këtë ndërhyrje të presidentit Thaçi, akoma pa e thënë fjalën e vetë organet e hetuesisë, prokuroria, analistët politik e kanë cilësuar automatikisht ndërhyrje në drejtësi, dhe një paralajmërim direkt ndaj prokurorisë që të mos merret me Kadri Veselin.

Image
Reshat Badallaj


“Të gjithë kryebanditët e majave të shtetit janë mësuar që askush nuk guxon t´ia turbullon ujin, prandaj kur ju dalin të gjitha marrëzitë, hajnitë,dallaveret, tradhtitë ndaj popullit dhe Kosovës, kjo bande e maskarallëqeve hallakaten dhe dalldisen. Kjo bandë banditësh e majave të shtetit që e kanë kapur për fyti pushtetin, mendojnë se Kosova është vetëm e tyre. Kjo që u pa dhe u dëgjua nuk do kallauz. Nga anët e mia thonë ku ka tym ka edhe flakë. Prandaj kot e kanë se edhe flaka ka për ti dal dhe askush më nuk mund ta fshehin këtë krim të organizuar”, tha Badallaj për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik Badallaj konsideron se "një tërmet ka ndodhur edhe brenda institucioneve të drejtësisë pas publikimit të këtyre videove , pasi që sipas tij drejtësia e ndikuar nga politika ka provuar që ti zhduk ato por ka pasur kanale tjera të presionit nga jashtë, ndërkombëtarët, dhe ato janë bërë publike për ta dekonspiruar krimin dhe zhveshur lakuriq ata që janë pjesëmarrës në këtë krim".

“ Dhe, mos mendoni se janë dalldisur dhe hallakatur vetëm këta banditët e majave të shtetit,por janë hallakatur dhe harlisur edhe gjyqtarët,mjeranët, puthadorët dhe sahanlëpirësit në këtë sistemin e kalbur të drejtësisë. Dhe a e dini përse? Sepse këtu i ka gishtat thellë të përzierë bandat politike”, tha Badallaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas Badallajt, tani "deklarimi I Hashim Thaçit është përpjekje serioze për të ndaluar prokurorinë që të merret me vartësit e tije e që në këtë rast është ish kreu I SHIK-ut, kreu I PDK-s Kadri Veseli por ai beson që këtë herë nuk do të lejon faktori ndërkombëtar".

“Dhe, merreni me mend krye kuislingu mundohet të fus frikën ne palcë te ky sistem, ashtu-ashtu i kalbur gjyqësor dhe djali i Haxhi Brojes, bile rrah gjoks. Ç´ju desh krye- kuislingut të kërcënoj prokurorinë dhe t´ia nxjerri dhëmbët, përse bënë hapur kërcënime dhe rrah gjoks për tjetër kënd? Maskarenjtë duhet të heshtin, të mos përzihen në sistemin e drejtësisë. E kur e them drejtësisë besoj nga faktori ndërkombëtar që vepron në Kosovë sepse këta qyqar nuk e bëjnë, sepse nga ata edhe shumë të zeza kanë për tu zbardhur, prandaj më mirë le t´i bëjnë gati strajcat dhe të marrin jorgan me veti në burgje se i ka gjetur kjo këta maskarenj të politikës banditeske”, theksoi Badallaj për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )