LDK tregon çfarë foli Mustafa me deputetët për rrëzimin e Qeverisë

  • 27 May 2019 - 15:34
LDK tregon çfarë foli Mustafa me deputetët për rrëzimin e Qeverisë

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë ditës së sotme ka mbajtur një takim me kreun e partisë, Isa Mustafën. Ky subjekt politik pas përfundimit të mbledhjes ka sqaruar se ne takim u fol për mocion i cili shpie në rrëzimin e Qeverisë.

Në një kumtesë për media nga LDK theksojnë se është në interesin e Kosovës që vendi të shkojë në zgjedhje. Zgjedhje këto të cilat sipas LDK’së do të shpijnë në një Qeveri normale.

“Në takim u bisedua dhe u dakordua për veprimet e nevojshme për të proceduar me mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë. U vlerësua se është në interesin e Kosovës që sa më parë vendi të ketë një Qeveri normale”, theksojnë nga LDK.

Sipas tyre, në mbledhje kryetari Mustafa dhe deputetët e LDK-së vlerësuan se korrupsioni i lartë, papunësia, nepotizmi dhe ikja e njerëzve nga Kosova janë dëshmitë më të mira se vendit i nevojitet qeveri e re e përgjegjshme.

“Në ditët në vijim LDK dhe grupi parlamentar do të zhvillojnë takimet e nevojshme me grupet e tjera parlamentare për të dakorduar hapat që do të ndërmerren”, thuhet tutje në deklaratën për media të LDK’së.

Ndërkohë, me iniciativë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tashmë kanë filluar takimet në mes të krerëve të opozitës për mundësinë e një mocioni që mund të çojë në shtëpi qeverinë aktuale.

Mustafa është takuar me Albin Kurtin, kreun e VV-së, e brenda javës pritet që të takohet edhe me Shpend Ahmetin, kreun e PSD-së.

(Kosova Sot Online)