Sulmuesit vrasin 7 anëtarë të një familjeje

  • 27 May 2019 - 18:14
Sulmuesit vrasin 7 anëtarë të një familjeje

Policia afgane njoftoi se disa sulmues i kanë vrarë shtatë anëtarë të një familjeje në kryeqytetin e Afganistanit, në Kabul. Zëdhënësi i policisë së Kabulit, Ferdous Faramurz, tha se incidenti ndodhi në një lagje në perëndim të kryeqytetit në orët e para të së hënës.

Faramurz tha se në mesin e viktimave janë tri gra dhe dy fëmijë, ndërsa në këtë sulm u plagosën edhe dy anëtarë të tjerë të kësaj familjeje. Autoritetet dyshojnë se këto vrasje ndodhën për shkak të mosmarrëveshjes për tokë.

“Gjetjet e policisë tregojnë se sulmi ndodhi për shkak të armiqësisë mes familjeve. Kjo familje e kishte dorëzuar një padi”, tha zëdhënësi i policisë. Faramurz tha se policia ende nuk e ka arrestuar asnjë person për këtë sulm, por i ka filluar hetimet.

Mosmarrëveshjet për tokat janë të zakonshme në Afganistan, ku 40 vjetët e luftës i kanë detyruar miliona njerëz t’i braktisin shtëpitë e tyre në mbarë vendin.

Kur personat e zhvendosur kthehen në pronat e tyre, ata shpesh shohin se ato janë uzurpuar nga familje tjera ose janë shitur në mënyrë ilegale. Tokat në Afganistan uzurpohen edhe nga ish-komandantë të luftës dhe politikanë të fuqishëm, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot Online)