Liderët evropianë nisin “luftën” për pozitat kyçe të BE-së

  • 28 May 2019 - 15:37
Liderët evropianë nisin “luftën” për pozitat kyçe të BE-së

Liderët e shteteve të Bashkimit Evropian do të shkojnë në Bruksel për ta vlerësuar skenën politike pas zgjedhjeve për parlament dhe do t’i marrin në konsideratë kandidatët rivalë për pozitat kryesore të Bashkimit Evropian.

Për herë të parë, blloqet e mëdha qendrore nuk e kanë më shumicën në Parlamentin Evropian. Rezultatet e zgjedhjeve ua mundësuan rritjen nacionalistëve, liberalëve dhe partive për mbrojtje të mjedisit.

Këto rezultate e kanë bërë Bashkimin Evropian më të përçarë, prandaj gjetja e një konsensusi mund të jetë më e vështirë se në të kaluarën.

Darka e së martës ndoshta nuk do ta sjellë as listën e ngushtë të kandidatëve. Kjo është më shumë një mundësi për liderët që ta vlerësojnë disponimin politik dhe kombinimet e mundshme për ta siguruar një baraspeshë të qëndrueshme të pozicioneve politike.

Në këtë takim do të marrë pjesë edhe kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, por burimet në Bruksel thonë se nuk do të ketë diskutime për Brexitin në këtë rast.

Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian që do të ndërrohen gjatë këtij viti janë: Presidenti i Këshillit Evropian, polaku Donald Tusk, presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, italiani Mario Draghi dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, italiania Federica Mogherini.

Pas negociatave të gjata, zyrtarët e lartë që do të caktohen në këto pozita do ta fillojnë punën më 1 nëntor, përpos presidentit të Këshillit Evropian, i cili do ta bëjë një gjë të tillë nga data 1 dhjetor, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)