Sonte zgjidhet pasardhësi i Junkerit – Merkel e Macron kanë mospajtime

  • 28 May 2019 - 16:01
Sonte zgjidhet pasardhësi i Junkerit – Merkel e Macron kanë mospajtime

Para samitit ku do të diskutohet për rezultatin e zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, presidenti francez dhe kancelarja gjermane nuk janë pajtuar për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të ri të Komisionit Evropian. Emmanuel Macron ka thënë se ky proces nuk duhet të jetë automatik.

Duke folur para samitit special të BE-së, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se Gjermania vazhdon ta përkrahë zgjedhjen e kandidatit kryesor nga partia fituese e zgjedhjeve të së dielës si president të ri të Komisionit Evropian.

Liderët e BE-së do të takohen të martën në mbrëmje në Bruksel për të diskutuar për rezultatin e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian dhe për nisjen e procesit të nominimit për pozitat kryesore të institucioneve të bashkimit Evropian.

Të hënën në mbrëmje, Merkel tha se liderët e BE-së duhet ta marrin vendimin shpejt. “Ne duam ta gjejmë një zgjidhje sa më shpejt që është e mundur, sepse Parlamenti Evropian do të mblidhet në fillim të qershorit. Është e dëshirueshme që deri në këtë kohë ta kemi një propozim nga Këshilli Evropian”, tha ajo.

Kancelarja tha se koalicioni i saj konservator CDU-CSU dhe partnerët e koalicionit nga SPD-ja e mbështesin procesin e zgjedhjes së presidentit të ri në bazë të partisë fituese.

Ndonëse pësoi humbje të konsiderueshme të dielën, Partia Popullore Evropiane dhe kandidati i saj nga Gjermania, Manfred Ëeber, dolën fitues të këtyre zgjedhjeve.

Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, gjithashtu dëshiron marrëveshje të shpejtë për të nominuarin, por tha se sistemi i zgjedhjes nuk duhet të jetë automatik. Partia e tij, “En Marche”, vazhdimisht e ka kundërshtuar sistemin e ashtuquajtur “Spitzenkandidat”, shkruan “Deutsche Well.

(Kosova Sot Online)