Pavarësisht shkarkimit, Kurz nuk heq dorë nga aspiratat politike

  • 28 May 2019 - 16:26
Pavarësisht shkarkimit, Kurz nuk heq dorë nga aspiratat politike

Kancelari i shkarkuar austriak, Sebastian Kurz, ka këmbëngulur se karriera e tij politike nuk është as afër fundit, pavarësisht largimit nga pozita e kreut të qeverisë për shkak të mocionit të votëbesimit në kuvend.

“Unë jam ende këtu”, tha Kurz para një grumbulli të përkrahësve gjatë një tubimi të anëtarëve të Partisë Popullore Austriake të hënën në mbrëmje.

Politikani 32-vjeçar, i cili u bë figura më e lartë që u shkarkua për shkak të skandalit “Ibiza”, tha se e pranon rezultatin e mocionit të votëbesimit, i cili u mbështet nga social-demokratët dhe partia “Liria”. Ai tha se e ka pranuar këtë vendim pa zemërim, urrejtje apo pikëllim.

Pas fitores së partisë së tij në zgjedhjet e së dielës për Parlamentin Evropian, Kurz shfaqi optimizëm për t’u zgjedhur udhëheqës i shtetit të tij në vjeshtë të këtij viti. “Kemi parë se ata mund të na rrëzojnë me vota, por ata nuk mund ta ndalin ndryshimin që po e udhëheqim ne”, tha ai në këtë tubim.

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, të martën e caktoi qeverinë e përkohshme, e cila do të udhëhiqet nga ish-ministri i financave, Hartëig Löger, i cili gjithashtu është pjesë e partisë së Kurzit.

Qeveria e përkohshme do të zëvendësohet nga kabineti i përkohshëm teknik, i cili përbëhet nga ekspertët dhe shërbyesit civilë. Ky grup do ta qeverisë shtetin deri në zgjedhjet e shtatorit, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)