Neurologu alarmon për mungesën e një ilaçi të shtrenjtë në QKUK

  • 29 May 2019 - 11:51
Neurologu alarmon për mungesën e një ilaçi të shtrenjtë në QKUK

Në institucionet publike shëndetësore të Kosovës tash e disa muaj ka mungesë të një medikamenti jetik i cili përdoret për disa sëmundje inflamatore. Ky ilaç nëse merret si terapi vetëm për pesë ditë, kostoja e tij mund të shkojë deri në 10 mijë euro. Bëhet fjalë për ilaçin ‘imunoglobulina intravenoze (IVIG)’. Alarmin për mungesën e tij e ka shprehur sot gjatë ditës neurologu, Blerim Myftiu.

Ai po deklaron se ky medikament duhet të eksistojë në institucionet publike

“Muajve, madje viteve të fundit, në Republikën e Kosovës (qoftë në institucionet publike, qoftë për dëshirë të blerjes private) mungon një medikament jetik për trajtimin e disa sëmundjeve inflamatore, demielinizuese dhe/apo autoimune – imunoglobulina intravenoze (IVIG). Në mesin e sëmundjeve për të cilën nevojitet ky ilaç është sindroma Guillain-Barre apo polineuropatia akute inflamatore”, ka shkruar neurologu.

Ai tregon se si një pacient 57-vjecar i cili ishte i operuar para dy javëve po vuante nga mungesa e këtij ilaçi. Neurologu Myftiu, tregon se këtë ilaç pacientët në nevojë nuk mund ta blejnë as në mënyrë vetanake.

“Meqenëse kostoja e ilaçit për trajtim të zakonshëm prej 5 ditësh arrin në rreth 10 mijë euro, medikamenti medoemos se duhet të ekzistojë në dispozicion në institucionet publike në shërbim të qytetarëve që mund të kenë nevojë për të. Por, edhe po pati dikush mundësi që ilaçin ta sigurojë në mënyrë private, nuk do ta ketë këtë mundësi. Ngase ilaçi duhet të ruhet të kushte strikte të ruajtjes dhe prodhuesi e dërgon atë përmes procedurave të prokurimit të përgjithshëm, jo përmes shitjes depove apo barnatoreve individuale. Do të thotë, nuk bën punë edhe po të keni para (përveç nëse nuk udhëtoni jashtë Kosovës)”, sqaron Myftiu.

“Sot u ballafaquam me pacientin 57-vjeç, të operuar para 2 javësh për shkak të tumorit të zorrës së trashë, i cili që prej para dy ditësh ka filluar të ketë shenja të mpirjes në duar dhe këmbë, mpirje të cilat gjatë ditës së djeshme janë përhapur në tërë gjymtyrët, si edhe më pas këmbët dhe krahët pastaj janë paralizuar. Sot ka filluar të shpreh edhe shenja të vështirësisë në frymëmarrje, vështirësi në gëlltitje, pamundësi të hedhjes së sekretit nga mushkëritë, pothuajse ngufatje. Ecuria e simptomave te ky pacient është e shpejtë dhe brenda dy ditësh – prej mpirjes së gishtave ka arritur që t’i rrezikohet jeta nga pamundësia e frymëmarrjes dhe luhatjet e shtypjes së gjakut”, shpjegon për vështirësitë me të cilat u ballafaqua ky pacient.

Tutje ai tregon se njëjtë si pacienti 57-vjecar janë edhe  shumë të tjerë që po e vuajnë mungesën e këtij ilaçi.

“Kolegët neurologë dhe anesteziologë janë të detyruar ta trajtojnë me metoda gjysmake, në mënyrë që pacienti ta tejkalojë fazën akute dhe shpresojmë të hyjë në atë të shërimit dhe rehabilitimit të shpejtë.

(Kosova Sot Online)