VV reagon për deklaratat e Presidentit Thaçi rreth bashkimit kombëtar

  • 29 May 2019 - 16:13
VV reagon për deklaratat e Presidentit Thaçi rreth bashkimit kombëtar

Lëvizja Vetëvendosje ka reagur përmes deputetëve të saj në parlamentin e Republikës së Kosovës rreth deklaratave të presidentit Hashim Thaçi për bashkim kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Deputetja Arbërie Nagavci në një postim të sajin ka reaguar ndaj këtyre deklaratave duke i quajtur populiste,të pavërteta dhe të dëmshme.

Ajo akuzon presidentin se ai është koordinuar me Aleksandër Vuçiçin për të copëtuar territorin e Republikës së Kosovës.

Nagaci thotë se ishte vetë presidenti Thaçi që e kishte ndaluar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë me kushtetutë. Po ashtu Nagavci thotë që ishte vetë Thaçi që me marrëveshje të vazhdueshme cënoi sovranitetin dhe integritetin e vendit.

“Bashkimi i shqiptarëve nuk bëhet as në partneritet me Vuçiqin, e as duke e kërcënuar Bashkimin Evropian. Bashkimi ynë kombëtar nuk është përkundër integrimit në BE, dhe nuk mund të vijë si pasojë e ujdive me Serbinë, por si proces i mirë planifikuar dhe me veprime konkrete që mundësojnë të drejtën e vetëvendosjes”, shkroi tutje Nagavci në reagimin e saj.

(Kosova Sot Online)