Alarmon Qarri: Aksioni në veri, përsëritje e 25 Korrikut të vitit 2011

  • 30 May 2019 - 09:55
Alarmon Qarri: Aksioni në veri, përsëritje e 25 Korrikut të vitit 2011

“Edhe prokuroria e Kosovës sikur u shërben në mënyrë të barabartë Vuçiqit dhe Thaçit, apo thënë më drejtë pikë së pari prokuroria e shtetit tonë i shërben presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiqit, i cili nga dhjetë ditë deri në dy javë përpara, informon opinionin publikisht se ku dhe çfarë do të ndërmarr policia e Kosovës”, thotë analisti Gani Qarri për “Kosova Sot Online“

Orkestrimi i ndërhyrjes së fundit të policisë së Kosovës në veri të vendit, kinse për të luftuar dhe neutralizuar disa grupe të krimit të organizuar dhe kontrabandës, është parë me sy kritik dhe me anën tjetër të medaljes së rrezikshme edhe nga analisti politik Gani Qarri.

Image

 

Sipas Qarrit, "kasta aktuale e inkriminuar politike, përveç të këqijave tjera të shumta që i ka bërë Kosovës, ka arritur ta prodhojë edhe një gjeneratë me elan të tredhur politik, pothuajse pa ideal kombëtar dhe tërësisht amorfe në aksione, e cila jo vetëm se heshtë për çdo gjë që ndodhë në vend,por u duartroket pa asnjë reaksion edhe hipokrizive më banale të Hashim Thaçit sa herë që ai ndryshon rrenat e tij, për të quar përpara ndarjen dhe shuarjen e shtetit tonë të brishtë".

“Në anën tjetër gjatë seancës së djeshme në Parlamentin e Serbisë, në të cilën u diskutua për Kosovën, edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, në përgjigjen dhënë politikanit liberal Çedomir Jovanovic, sërish bëri me dije se ende e ka në agjendë ndarjen e Kosovës. Ndaj krejt ajo çfarë po provon te fsheh politika e inkriminuar kosovare me aksionin e fundit policor ne Veri,pasi që pas 20 vitesh tolerimi të krimit te organizuar, të martën gjoja u kthjellën dhe me urdhër nga politika e inkriminuar u dha urdhri për bastisje e arrestime, duket të jetë vazhdë e përpjekjes në jetësimin e planit të Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit për ndarjen e Kosovës”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

"Përzierja e prokurorisë në këtë lojë sipas qarrit po ashtu shkon në favor të skenarit Thaqi -Vuçiq. “Për aq më tepër edhe prokuroria e Kosovës sikur u shërben në mënyrë të barabartë Vuçiqit dhe Thaçit, apo thënë më drejtë pikë së pari, prokuroria e shtetit tonë i shërben presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiqit i cili nga dhjetë ditë deri në dy javë përpara, informon opinionin publikisht se ku dhe çfarë do të ndërmarr policia e Kosovës” ka pohuar Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

 

"Ndaj edhe ky aksion,megjithëse ishte i drejtë dhe i domosdoshëm ligjërisht", sipas Qarrit, "ngjason bukur shumë si përsëritje e 25 Korrikut të vitit 2011 dhe mund të jetë edhe fillim i pazareve të reja me Serbinë për gjymtimin territorial dhe shkatërrimin përfundimtar të shtetësisë së Kosovës".

“Këtë e dëshmon edhe raporti më i ri i gazetës kroate “Jutarnji list", e cila shkruan decidivisht se aksioni anti kontrabandë në Kosovë është orkestruar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiq, për ta shpëlarë Thaçin nga gjendja disfatiste në të cilën ka rënë pas samitit të Berlinit dhe shpëtuar Vuçiqin para popullit të tij. Përderisa dihet se veriu i Kosovës është problem politik, i cili nuk mund të zgjidhet vetëm me ndërhyrje spektakulare policore realisht edhe ky aksion, druaj se është edhe një lojë tjetër shtesë e orkestruar ndërmjet Hashim Thaçit dhe Aleksander Vuçiqit, për të arritur qëllimin final të planit të tyre për ndarjen e Kosovës dhe shpëtimin e Thaçit nga gjykata speciale”, theksoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)