Krushqit nxjerrin armët, 4 në pranga në dy familje. Zbardhet sherri, babai i nuses plagosi vëllain e dhëndrit sepse …

  • 30 May 2019 - 13:51
Krushqit nxjerrin armët, 4 në pranga në dy familje. Zbardhet sherri, babai i nuses plagosi vëllain e dhëndrit sepse …

Dy familje të ardhura nga Kukësi, me banim në Valias të Ri, në marrëdhënie krushqie, janë përfshirë në një konflikt të ashpër ditën e djeshme, duke përdorur edhe armët e zjarrit.

Bëhet fjalë për familjen e nuses, me mbiemër Vishaj, dhe familjen e dhëndrit, me mbiemër Dobrushi. Shkak për ngjarjen është bërë dhuna fizike që dhëndri ka ushtruar ndaj nuses e, për rrjedhojë, babai i saj është hakmarrë bashkë me vëllezërit e tij dhe djalin.

Gjatë konfliktit ka mbetur i plagosur vëllai i dhëndrit nga babai i nuses. Ndërsa janë arrestuar 4 persona dhe 4 të tjerë janë shpallur në kërkim nga të dy familjet. Burime nga Policia thanë se i plagosuri është Naim Dobrushi, 43 vjeç, i cili është goditur me tytën e pistoletës dhe sende të tjera të forta nga 61-vjeçari Miftar Vishaj, babai i nuses së vëllait. Ai është dërguar në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

ARRESTIMET

Shërbimet e Policisë së Komisariatit nr.5 kanë marrë dje një njoftim se në lagjen Valias i Ri po ndodhte një konflikt midis dy familjeve, krushqi, ku ishte përdorur edhe arma e zjarrit. Patrullat e Policisë kanë reaguar në kohë dhe kanë arrestuar në flagrancë për veprën penale “Dhunë në familje”, “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Armëmbajtje pa leje”, shtetasin Miftar Vishaj, 61 vjeç, banues në Valias të Ri.

Arrestimi i tij u bë pasi ka ushtuar dhunë fizike dhe ka plagosur lehtë me qytën e një arme, pistoletë, shtetasin Naim Dobrushi, 43 vjeç, vëllai i dhëndrit, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Dhunë në familje” shtetasi Hasan Dobrushi, 40 vjeç, banues në Valias, Kamzë, pasi në banesë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes 33-vjeçare, e cila është vajza e autorit të plagosjes.

Policia tha se u ndaluan edhe vëllai i autorit, 63-vjeçari Skënder Vishaj për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe djali i autorit, 28-vjeçari Shpresim Vishaj, për veprat penale “Plagosja rëndë me dashje” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Njëkohësisht janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e 4 shtetasve me inicialet A.V., D.V., S.N. dhe N.D.

TE ARRESTUAR

1. Miftar Vishaj, 61 vjeç, autori i plagosjes, babai i nuses
2. Shpresim Vishaj, 27 vjeç, djali i autorit, vëllai i nuses
3. Hasan Dobrushi, 40 vjeç, vëllai i të plagosurit, dhëndri i autorit
4. Skënder Vishaj, 63 vjeç, vëllai i autorit, xhaxhai i nuses

I PLAGOSUR
Naim Dobrushi, 43 vjeç, vëllai i dhëndrit të autorit të ngjarjes

NË KËRKIM
1. A.V.
2. D.V.
3. S.N.
4. N.D.

(Kosova Sot Online)