Në Beograd, shfaqet dokumentari për nënën gjakovare që humbi 4 djem dhe burrin në luftë

  • 30 May 2019 - 20:47
Në Beograd, shfaqet dokumentari për nënën gjakovare që humbi 4 djem dhe burrin në luftë

Festivali “Mirëdita, Dobar Dan”, që po mbahet që nga mbrëmë në kryeqytetin serb, ka sjellur sonte dokumentarin e një prej historive më të dhimbshme nga lufta e Kosovës.

Ferdonije Qerkezi, e cila u bë e njohur nga një fotografi ku shihej ajo e ulur me pesë pjata të zbrazëta që ua kishte bërë gati familjarëve të zhdukur, ka qenë temë e dokumentarit të realizuar nga Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti.

Dokumentari i titulluar “Ferdonija” u shfaq para dhjetra personave në audiencë, të përbërë nga serbë e shqiptarë, por edhe përfaqësues ndërkombëtarë.

Sipas realizatorëve, ky dokumentar është i dedikuar për paqen, njëlloj sic në esencën e tij e ka edhe i tërë festivali.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme u përurua libri “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” me autor Kushtrim Koliqi, për të cilën temë edhe u organizua një debat.

Panelistë kosovarë dhe serbë shprehën që qëllimi i këtij libri ka qenë presioni ndaj politikëbërësve për t’u marrë me fatin e të pagjeturve. Ndërmjet folësve, janë lexuar edhe pjesë të rrëfimeve të disa familjarëve të personave të zhdukur.

Sidoqoftë, dje para publikut shqiptaro-serb në Beograd u shfaq filmi “Nëntori i ftohtë”, e cila ngjarje zhvillohet në kohën kur nis shpërbërja e Jugosllavisë dhe presidenti i atëhershëm, Slobodan Milloshevic, nis të punojë kundër autonomisë së Kosovës me forca të plota.

Ndryshe, festivali “Mirëdita, Dobar Dan”, sic tashmë është bërë traditë, u përcoll me protesta nga ekstremistët serbë, të cilët me këngë patriotike shprehnin kundërshtinë për paraqitjen e historisë së luftës por dhe Kosovës në përgjithësi, duke bërtitur madje “Kosova është zemra e Serbisë”.

(Kosova Sot Online)