Aliu kundër Thaçit: Ideja e bashkimit , pazar i treshes Thaçi-Rama-Vuçiq, bashkë me krye udbashin e tyre

  • 31 May 2019 - 07:46
Aliu kundër Thaçit: Ideja e bashkimit , pazar i treshes Thaçi-Rama-Vuçiq, bashkë me krye udbashin e tyre

“Kjo është një tentativë e Thaçit që në vend të këmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë, ta bëjë ndarjen e Kosovës mes Shqipërisë e Serbisë! Ky është një pazar i pazarxhinjëve Hashim Thaçi-Edi Rama-Aleksandër Vuçiq, bashkë me krye udbashin Baton Haxhiun”, tha analisti politik Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”

Ideja e lansuar së fundi nga Presidenti Thaçi për Bashkimin Kosovë - Shqipëri, po vazhdon akoma të ketë jehonë te analistët politik, por kësaj radhe jo jehonë për ta mbështetur atë, por për ta kritikuar dhe denoncuar prapa skenën që fshihet pas këtij propozimi të pa kohë dhe të pa menduar mirë. Me rrezik serioz për të ardhmen e Kosovës si shtet, dhe aspak në favor të bashkimit kombëtar e sheh këtë propozim të Thaçit, edhe analisti politik Bislim Aliu, sipas të cilit Presidenti po hap lojëra të rrezikshme për të ardhmen e shtetit akoma të pa stabilizuar dhe funksionalizuar në kufijtë që është shpallur para 11 vitesh.

Image

 

“Me të vërtetë loja e Hashim Thaçit me kartën e bashkimit Shqipëri-Kosovë, është një lojë e rrezikshme. Dhe, mu për këtë, ai po e vendos në pikëpyetje statusin e Kosovës, për t'i shpëtuar Gjykatës Speciale”, tha analisti Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”.

"Lansimi i kësaj ideje", sipas Aliut,"gjithsesi që shkon në interes të Beogradit sepse po u hap kjo temë, nuk mundë të kalohet pa e nxjerr në tavolinë të bisedimeve me Serbinë për shkak të pretendimeve të hapura territoriale që ka Serbia ndaj Kosovës".

“Ai po e bën këtë çështje, pjesë të negociatave me Beogradin duke e shndërruar dialogun e Brukselit në negociata territoriale mes Shqipërisë dhe Serbisë, ku vija e kompromisit (ndarjes) do të vendoset në territorin e Kosovës! Kjo është pikërisht ajo, që e kanë kërkuar zyrtarët më të lartë serbë prej vitesh”, tha analisti Aliu për “Kosova Sot Online”.

Për më tepër, sipas Aliut, "edhe pse duket ide e re, kjo shkon viza- vi me planin e Vuçiqit, Thaçit, Edi Ramës e Baton Haxhiut për ndarjen e Kosovës sipas atij modelit të korrigjimit apo shkëmbimit të territoreve".

“Kjo është një tentativë e Thaçit që në vend të këmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë, ta bëjë ndarjen e Kosovës mes Shqipërisë e Serbisë! Ky është një pazar i pazarxhinjëve Hashim Thaçi-Edi Rama-Aleksandër Vuçiq, bashkë me krye udbashin Baton Haxhiun”, theksoi Aliu për “Kosova Sot Online”.

 

(Kosova Sot Online )