Agron Mustafa nuk i mori parasysh kërkesat e Sindikatës Profesionale lidhur me shpëtimin e Telekomit

  • 31 May 2019 - 08:14
Agron Mustafa nuk i mori parasysh kërkesat e Sindikatës Profesionale lidhur me shpëtimin e Telekomit

Gjendja e njërës prej kompanive më të fuqishme në vend, Postë Telekomit të Kosovës, është diskutuar shumë kohëve të fundit. Muhamet Xhemajli, kryetar i Sindikatës Profesionale të Postë Telekomit të Kosovës, në emisionin Pa rrotlla flet për përpjekjet e njërës nga Sindikatat brenda kësaj kompanie për shpëtimin e PTK-së nga falimentimi.

Xhemajli thotë se kërkesa e kësaj sindikate ndaj ish-drejtorit të PTK-së, Agron Mustafa, ka qenë shkëputja e kontratës me Z-mobile si dhe inicimi i arbitrazhit ndaj Z-mobile, e po ashtu ai shton se po të ishin përdorur materialet që i posedonte departamenti i hetimeve lidhur me kontratën me Z-mobile, Telekomi nuk do të vinte në gjendjen e tanishme, shkruan Parrotlla.net.

“Kërkesa e Sindikatës Profesionale ka qenë të shkëputet kontrata me Z-mobile, të iniciohet arbitrazh ndaj Z-mobile, si dhe pyetjet tona të drejtuara menaxhmentit dhe zyrës ligjore të asaj kohe kanë qenë se pse nuk janë përdorur asetet e brendshme dhe informacionet e bollshme që i kemi pasur, sepse jam shumë i bindur që po të ishin përdorur materialet që ne, si ish-departament i hetimeve kemi poseduar për kontratën Z-mobile, sot në arbitrazh ne do të dilnim fitues e jo humbës dhe me siguri që kjo nuk do ta sillte Telekomin në këtë gjendje.”

Lidhur me këtë kërkesë, të bërë ndaj ish-drejtorit Mustafa, Xhemajli tregon se ajo fare nuk është marrë parasysh.

“Unë, përkundrazi, nga Agron Mustafa kam qenë i izoluar, nuk kam marrë pjesë në takime asnjëherë me të, nuk ka dashur të kontaktojë me mua, përkundër që me Sindikatën tjetër ka pasur takime të rregullta.”

(Kosova Sot Online)