Flet Bojaj: Ja krimi zinxhiror në mafinë e ndërtimeve!

  • 31 May 2019 - 08:54
Flet Bojaj: Ja krimi zinxhiror në mafinë e ndërtimeve!

“Edhe sot kur Prishtina udhëhiqet nga Shpend Ahmeti, SHIK-u është prezent kudo, dhe jo vetëm në pushtetin e kryeqytetit, por tashmë ekziston bashkëqeverisje e pashpallur edhe në nivel qendror”, tha analisti politik Ramiz Bojaj për Kosova Sot Online”

Tek sa vazhdojnë debatet mes PDK-së dhe LDK-së, se kush më shumë e kush më pak është i përfshirë në afera korruptive të dhënies së lejeve të ndërtimit në Prishtinë, të shkatërrimit e degradimit të kryeqytetit dhe aferën e fajdeve që doli gjatë këtyre ditëve nëpërmes video përgjimeve, analistët politik vazhdojnë ta drejtojnë gishtin tek të tri partitë politike që kanë qeverisur deri më tani me Prishtinën, qoftë në pozitë apo edhe në opozitën e tanishme komunale:LDK-PDK(SHIK) dhe VV e PSD tani së fundi.

Image

 

Analisti politik Ramiz Bojaj thotë se për “20 vite të keq qeverisjes, krimit në ndërtim, në shumicën e qytetit të Prishtinës në vend që të bëhet kryeqytet metropolitan me zona urbane të mirëfillta, me arkitekturë e zhvillim të planifikuar, me infrastrukturë moderne e funksionale, kryeqyteti ynë u shndërrua në një fshat të madh, ku njerëzit e kanë vështirë të jetojnë”.

“Kjo vrasje urbane fillin e saj e ka nga qeveritë komunale e qendrore të pasluftës, sidomos nga qeverisja e LDK-së, e cila është fajtore kryesore për mbytjen urbanistike të kryeqytetit. Zyrtarë të lartë komunal të kësaj partie, janë ndjekur edhe nga drejtësia, por kjo ndjekje ishte vetëm shantazh për të bashkëpunuar me bandat nga partitë tjera, sidomos nga PDK-ja”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Duke folur për aferën e fundit, Bojaj thotë se kjo vetëm sa e zbulon lidhjen e fuqishme të krimit që ka zaptuar Prishtinën.

“Afera e fundit e fajdeve e ku apostrofohet edhe emri i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, rreth ndërtimit të objektit të shumëpërfolur spitalor, tregon se pushtetarët janë të implikuar në aferat e ndërtimeve të vrazhda, duke përkrahur të preferuarit e tyre lojal. Gjithnjë duke përfituar shuma të mëdha parash në afera të tilla. Këtë e bënë edhe më të bindshëm vet nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Uran Ismaili i cili duke tentuar të mbrojë shefin e vet Kadri Veselin, ka fajësuar kryetarin e partisë tjetër Ismet Beqirin e LDK-së, duke e denoncuar me aferën e Spitalit e ku janë të përfshirë fajdexhinj, mashtrues sekserë”,theksoi Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas Analistit Bojaj, Ismaili duke fajësuar ish Kryetarin e Prishtinës Ismet Beqirin, që sipas tij, ka dhënë lejen për ndërtimin e këtij spitali në vitin 2003, ndërsa e ka përfunduar Isa Mustafa, tregon vetëm një refleks të krimit zinxhiror në mafinë e ndërtimeve por nuk e shfajëson, nuk e amniston PDK-në dhe SHIK-un por që tani vazhdon duke ruajtur kontinuitetin edhe me PSD-n e Shpend Ahmetit.

 

“Kjo është pasqyrë reale e pushtetit të 'përbashkët' të SHIK-LDK-së, ku janë dhënë leje ndërtimore, sipas favoreve dhe interesave të klaneve politike, duke shkelur çdo ligj, rregull e standard, jo vetëm urbanistik, por edhe jetësor. Edhe sot kur Prishtina udhëhiqet nga Shpend Ahmeti, SHIK-u është prezent kudo, dhe jo vetëm në pushtetin e kryeqytetit, por tashmë ekziston bashkëqeverisje e pashpallur edhe në nivel qendror. PSD-SHIK, LDK-SHIK, PDK-SHIK, janë kombinime reale të cilat mbajnë përgjegjësi për shkatërrimin urbanistik të Prishtinës, ndërtimet e egra e pa kriter, të cilat, jo vetëm qe kanë shëmtuar kryeqytetin e Kosovës, por kanë rënduar e rrezikuar në masë mjaft të madhe edhe jetën e qytetarëve në shumë lagje të kësaj ane”, ka thënë Ramiz Bojaj për “Kosova Sot Online”.

 

(Kosova Sot Online)