Historia e Fatjonës - E braktisur dhe abuzuar, por ia doli

  • 01 June 2019 - 18:40
Historia e Fatjonës - E braktisur dhe abuzuar, por ia doli

Me një të kaluar të hidhur, braktisjesh e abuzimesh, Fatjona 29-vjeçare është e vendosur të ndërtojë jetën e saj. Tashmë është punësuar dhe tregon se kush ia  hapi derën dhe nuk e la vetëm, në mes të katër rrugëve.

“Ndjehem shumë e kënaqur. Ndjehem si në shtëpinë time. Më kanë mësuar si të sillem me shokët e shoqet e të integrohem me të tjerët. Kam bërë kurs rrobaqepësie. Falënderoj veçanërisht drejtorin Arlindin që më ka punësuar këtu!”, tregon Fatjona.

Ditët e saj kalojnë plotësisht në ambientet e kësaj qendre që është kthyer në një vatër të ngrohtë familjare për të dhe 36 fëmijët e të rinjtë nga mosha 4-25 vjeç, që marrin shërbime në këtë qendër rezidenciale.

“Fatjona ka 6 vite që merr shërbim këtu dhe ajo mori fillimisht të gjitha shërbimet që i takojnë përfituesve. Efekti te ajo ishte shumë i madh. Ajo mori një zhvillim të theksuar, u përshtat, integrua dhe u aftësua dhe ne të gjithë e pamë të arsyeshme që ajo duhej të punësohej”, tha Arlind Vata, drejtor i Qendrës së Zhvillimit Rezidencial Durrës

“Fatjona ka dëshirë të njohë prindërit e saj biologjikë. Ka nevojë të njohë nënën, të ndjejë ngrohtësinë e saj. Ajo e di emrin e prindërve, po nuk e di ku ka lindur. E kanë dërguar fillimisht në Vlorë e më pas në Sarandë. Nëse na ndihmoni është një meritë për ju e për ne që dhe ajo të jetë si të gjithë të tjerët. Asaj nuk i mungon asgjë, vetëm dashuria prindërore”, tha Bedrie Gera, edukatore.

Thuajse gjysma e atyre që marrin shërbim në këtë qendër rezidenciale nuk i njohin prindërit. Por emisioni “Dua të të bëj të lumtur” e ka ngacmuar më shumë Fatjonën për të gjetur prindërit e realizuar ëndrrën.

“Kam dëshirë të shkoj te emisioni “Dua të bëj të lumtur” që të gjej nënën, mamin dhe babin! Dua t’i kërkoj e t’i gjej! Për herë të fundit nuk i kam parë fare se më kanë lënë që të vogël, ndaj dua që t’i shoh. Më ka marrë malli shumë për ta. Mbase janë në Itali e dua të shkoj me ta në Itali, ose të rrijë me gjyshërit në Tiranë”, shprehet Fatjona.

“Fatjona pavarësisht se është punësuar, rrogën e ka modeste dhe nuk mund të jetojë e të blejë një shtëpi me të. Shpresoj ta ndihmojnë e ta bëjmë Fatjonën të lumtur”, thotë Bedire Gera.

Arlind Vata, drejtori i Qendrës që funksionon në Durrës që nga vitet ’80 thotë se ky institucion po bashkëpunon me Bashkinë për t’i siguruar një banesë sociale Fatjonës për ta lehtësuar edhe më tej integrimin e saj në shoqëri.