Gashi: Me Vuçiqin e Daçiqin, Thaçin, Veselin e Haradinajn s’ka ndryshim të teksteve të historisë

  • 01 June 2019 - 19:20
Gashi: Me Vuçiqin e Daçiqin, Thaçin, Veselin e Haradinajn s’ka ndryshim të teksteve të historisë

 

Autori Shkelzen Gashi, ka promovuar librin e tij “Historia e Kosovës në tekstet e historisë së Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë”, në ditën e katër të festivalit “Mirëdita Dobar dan” që po mbahet në Beograd.

Ai ka thënë se, pa ndërrim të klasave politike nuk mund të priten ndryshime të teksteve të historisë, as në Kosovë e as në Serbi.

Gashi ka thënë se nuk mund të ketë tekste të mira të historisë kur në Serbi udhëheqin figura që i kanë shërbyer Millosheviqit, e ish-radikalë, e në Kosovë njerëz të cilët janë të dyshuar për krime lufte e të tillë që kanë punuar në organizata kriminale.

“Përderisa Serbia udhëhiqet nga ish-radikali, Aleksandër Vuçiq apo Daçiq që ka qenë zëdhënës i Milosheviqit gjatë luftës në Kosovë, nuk mundemi me prit tekste tjera, veç aso që nxisin urrejtjet. Nuk mundemi me pritë tekste të mira në Kosovë, përderisa ajo udhëhiqet prej presidentit Thaçi, për të cilin siç thotë raporti i Dick Martyt, që është raporti zyrtar i KE-së, është i përfshirë në krime të tmerrshme jo vetëm kundër serbëve, por edhe civilëve tjerë”, ka thënë ai.

“Nuk mund të pritet nga Ramush Haradinaj, i cili dy herë ka qenë në procese gjyqësore, ose prej Kadri Veselit i cili prej 10 vitesh ka udhëhequr një organizatë që sipas shumë raporteve ka qenë organizatë kriminale”, ka shtuar Gashi.

Sipas tij, Thaçi në Kosovë dhe Vuçiq apo Daçiqi në Serbi në fund të viteve 70’ta kanë mësuar me tekste më të mira, sesa që mësohet në tekstet e sotme.

“Ky është paradoksi, prandaj pa largimin e tyre nuk mund të priten ndryshime”, ka përfunduar ai.

Në libër jepet një pasqyrë e periudhave më të rëndësishme në historinë e Kosovës, që nga kohët e lashta deri në ditët e sotme, në tekstet e historisë në Kosovë, Shqipëri, Serbi, Malit të Zi dhe Maqedoni.

(Kosova Sot Online)