Haradinaj: Ose e kthejmë Pavarësinë, ose vendosim si shtet i pavarur

  • 01 June 2019 - 20:02
Haradinaj: Ose e kthejmë Pavarësinë, ose vendosim si shtet i pavarur

 

“Me dhënë diçka nga sovraniteti ynë për t’u anëtarësuar në BE është normale sepse shumë shtete e kanë bërë një gjë të tillë. Por me dhënë sovranitetin e shtetit në një proces si të dialogut me Serbinë, që është i paqartë dhe i padefinuar, ka qenë logjikë e gabuar edhe e jona, edhe e disa partnerëve ndërkombëtarë”, ka thënë Hradinaj.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, me rastin e shënimit të përvjetorit të degës së AAK-së në Klinë, ka thënë se sovraniteti i Kosovës nuk duhet t’i dorëzohet një procesi të paqartë si ai i dialogut me Serbinë.

Ai ka shtuar se detyrë e tij ka qenë që vendimmarrjet që kanë të bëjnë me vendin të kthehen në Kosovë.

“Unë mendoj se në Kosovë, në këto 20 vjetët e pasluftës, kemi pasur çka të mësojmë. Mendoj se duhet ta dimë faktin se jemi përgjegjës për veten tonë. Kur e kemi shpallur Pavarësinë, ne ju kemi thënë atyre që janë kujdesur për ne, se tani duamë të kujdesemi për vetën tonë. Kjo i bie se ju kemi thënë atyre: Na lejoni të gabojmë dhe t’i bëjmë punët në mënyrën se si dimë ne”.

“Prandaj nuk e kemi më të drejtën që të ankohemi tek të tjerët. Vet kemi vendosur të jemi shtet, vet i kemi marrë vendimet dhe vet e kemi shpallur vetën shtet të pavarur. Edhe shtet i pavarur – edhe me pritë që vendimet për vendin tënd të merren tjetër kund, këto dyja bashkë nuk shkojnë; ose e kthejmë pavarësinë, ose vendosim si të pavarur në vend”.

Haradinaj ka thënë se partnerëve ndërkombëtar u konvenon kur Kosova sillet si shtet i pavarur dhe kur është në gjendje t’i kryejë punët e veta.

“Miqtë tanë kanë pritur gjatë të na shohin nëse e kemi kuptuar se çka do të thotë Pavarësia. Pavarësia nuk do të thotë se duhet t’i dorëzojmë vendimet sovrane me një proces ku ne nuk e përfaqësojmë veten”.

“Me dhënë diçka nga sovraniteti ynë për t’u anëtarësuar në BE është normale sepse shumë shtete e kanë bërë një gjë të tillë. Por me dhënë sovranitetin e shtetit në një proces si të dialogut me Serbinë, që është i paqartë dhe i padefinuar, ka qenë logjikë e gabuar edhe e jona, edhe e disa partnerëve ndërkombëtarë”.

“Ta kthejmë vendimmarrjen e Kosovës në Kosovë, dhe ta kthejmë Kosovën në këmbë të veta në mënyrë që të ecë si e pavarur (qoftë edhe me vështirësi), kjo ka qenë puna jonë”.

“Ata që kanë menduar se do të na hidhërohen miqtë tanë dhe ata që kanë shkuar ta lajmërojnë hidhërimin se do të prishemi me miq, janë ngutur. Miqtë tanë kanë pritur që ky vend për të cilin ne kemi bërë kaq shumë, të jetë ne gjendje t’i kryejë punët e veta. Ne kështu e rrisim vlerën tonë tek aleatët sepse tani ata na shohin si më të qëndrueshëm”.

“Ata e kuptojnë se ne po duamë të jemi shtet. Po duamë që Kosova me qenë sovrane dhe vendimet që janë për të le të merren në Kosovë. Ata presin që Kosova t’i kryejë punët e veta”.

(Kosova Sot Online)