Tragjedi e rëndë, vëllezërit shqiptarë 26 dhe 28 vjeçar vdesin pasi i zë dheu

  • 02 June 2019 - 13:15
Tragjedi e rëndë, vëllezërit shqiptarë 26 dhe 28 vjeçar vdesin pasi i zë dheu

Dy të vdekur dhe një i lënduar është bilanci i tragjedisë që ndodhi në Çair, gjatë gërmimit të një kanali për furnizim me ujë.

Viktimat janë vëllezër, njëri 26 dhe tjetri 28 vjeçar ndërsa i lënduari i moshës 54 vjeçare. Viktimat kanë qenë pjesë e një kompanie private ku pronar jo zyrtarisht flitet se është babai i tyre i cili gjatë momenteve të tragjedisë ka qenë duke drejtuar ekskavatorin.

“Tragjedia ndodhi rreth orës 11 të paradites së djeshme në rrugën “Kemal Sejfullai” përballë Poliklinikës së Çairit.

Banorët e asaj zone, shërbimet e zjarrfikësve si dhe personel i ndihmës së shpejtë arritën që ta shpëtojnë 54 vjeçarin pas më shumë se 1 orë pasi tek ai kishin vërejtur shenja jete. 

 Dëshmitarët okularë prapa kamerave sqaruan se momentin ndërsa ndodhte tragjedia, fillimisht e kanë parë punëtorët e angazhuar në ndërtesën në afërsi të kanalit që po hapej. Babai i tyre ka hyrë i pari për t’i shpëtuar, ndërkaq menjëherë janë bashkangjitur dhe shumë banorë të tjerë që kanë ndodhur afër fatkeqësisë. Por përpjekjet e tyre rezultuan pa sukses.

“Kur arritëm në vendin e ngjarjes, na thanë se dy persona veçmë janë të vdekur për këtë shkak edhe më shumë rëndësi i dhamë njërit i cili ishte ende i gjallë dhe për fat të mirë arritën që ta nxjerrim në bashkëpunim me disa qytetarë të cilët i kuptonin këta situata. Këto intervenime duan shumë durim, nuk mund të ndërmerr diçka që do ta dëmtojë personin i cili është në rrezik. Duhet durim. Ju vetë e vërejtët se vetë qytetarët bëjnë panikë por kemi eksperiencë dhe në bashkëpunim me disa qytetarë ia dolëm”-tha Nuredin Mustafa, komandant në Brigadën e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit.

Për momentin personi i lënduar ndodhet në spitalin e qytetit “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup pa lëndime shumë të rënda dhe jashtë rrezikut për jetë.

“Në vendin e ngjarjes njëri nga të lënduarit ishte në vetëdije, koka e tij ishte mbi tokë ndërsa dy të tjerë ishin të mbuluar nga dheu. Zjarrfikësit intervenuan, punëtori i lënduar ishte gjithë kohës i ndihmuar me oksigjen derisa gropohej. Ekipi jonë, menjëherë e dërgoi në Spitalin e qytetit “Shën Naumi i Ohrit” në gjendje përgjithësisht të mirë me dhimbje nëpër trup si pasojë e gropimit”-tha  Marina Satirovska, Ndihma e Shpejtë.

Ndërkohë komuna e Çairit njoftoi se punimet për hapjen e kanalit nuk kanë pasur leje për realizim dhe se të njejtat kanë filluar nga sot, kur administrata komunale nuk punon. 

“Sipas procesverbalit të përpiluar nga ana e inspektorëve në terren, punimet e filluara për kyçjen në infrastrukturën nëntokësore nuk kanë pasur lejen për realizim dhe të njëjtat kanë filluar gjatë ditës së shtunë, ditë jo pune”-thonë nga Komuna e Çairit.

Prokuroria nga ana tjetër njoftoi se ka dhënë urdhër për mbledhjen e të dhënave lidhur me posedimin e lejes për ndërtim për kryerjen e gropimit sa i përket investitorit dhe realizuesit të punimeve. Në njoftimin e Prokurorisë poashtu thuhet se është dhënë edhe urdhër për kryerjen e obduksionit të trupave të pajetë.Kanali në të cilin humbën jetën dy të rinjve supozohet të jetë më shumë se 2 metra i thellë.

(Kosova Sot Online)