Meshkujt në shkollat e Drenasit po ngacmohen seksualisht

  • 02 June 2019 - 13:33
Meshkujt në shkollat e Drenasit po ngacmohen seksualisht

 

Konferenca e dytë Ndërkombëtare për Shëndetin, Mirëqenien dhe të Drejtat e Fëmijëve, ka vazhduar edhe sot ku janë prezantuar punime të ndryshme që kanë të bëjnë me fëmijët.

“Faktorët kontekstual dhe dhuna seksuale e raportuar në mesin e nxënësve të shkollave fillore në komunën e Drenasit”, ka qenë një nga punimet që sot është prezantuar, e që është thënë se nga analizimi i të dhënave është vërejtur se kjo formë e dhunës është e pranishme.

Këtë hulumtim e ka prezantuar Vahide Morina, e cila tha se nga të gjitha të dhënat që ajo ka mbledhur ka dal që dhuna seksuale është raportuar të jetë prezentë në shkollat e Drenasit, dhe se ajo është raportuar si nga nxënësit, ashtu edhe nga ana e mësimdhënësve.

Derisa ka treguar rezultatet e hulumtimit, ajo tha se meshkujt kanë raportuar më shumë se kanë përjetuar ngacmime seksuale.

“Sipas gjinisë, ka qenë një rezultat befasues se hipoteza e hulumtimit ka qenë që femrat do të raportojnë një nivel më të lartë të ngacmimeve seksuale. Ndërsa, në të gjitha deklaratat meshkujt kanë raportuar më shumë përjetim të ngacmimit seksual. Njashtu edhe dhuna ose niveli i ngacmimeve nga ana e djemve të vajzave është shprehur të jetë mbi 30 përqind, që kanë deklaruar se kanë ngacmime nga djemtë. Edhe nga stafi është raportuar të ketë viktimizim, por jo në nivel shumë të lartë, mirëpo me tendencë më të lartë nga mësimdhënësit… Tek dallimet gjinore në përjetimin e ngacmimeve seksuale për shkak se ka qenë rezultati befasues, ku meshkujt kanë raportuar të jenë më shumë të prekur nga këto ngacmime dhe ia kemi shtuar edhe faktin që sipas studimeve, meshkujt janë ndaj dhunës në përgjithësi, si dhe agresioni gjinor kryesisht tek meshkujt është më prezent sesa tek femrat”, tha ajo.

Pas këtij hulumtimi ajo rekomandon që çështja e ngacmimeve seksuale të trajtohet në nivele më të larta, si nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Një tjetër prezantim që është bërë gjatë konferencës ka qenë edhe “Loja humbje kohe, apo …!?, ku këtë e ka prezantuar Granit Haliti, i cili tha se çdo ditë e më shumë fëmijët po kalojnë më shumë kohë në celularët dhe videolojërat e tyre.

Ai ka treguar se është bërë një hulumtim për lojën e quajtur “2048” dhe ka treguar se cilat kanë qenë rezultatet.

“Aftësia e videolojës ka ndërlidhje signifikante pozitive me nivelin e inteligjencës jo verbale. Nëse e matim ndërlidhjen mes aftësive të videolojës dhe aftësive të rrjedhshmërisë dhe saktësisë së leximit të këtyre variablave që ne i kemi përdorur, të gjitha variablat tregojnë që ka ndërlidhje negative shumë të lartë signifikante. Pra, fëmijët që kishin aftësi me të mirë të videolojërave kishin aftësi shumë më të ulëta të leximit të fjalëve. Tek aftësitë matematikore shohim se ka ndërlidhje të lartë signifikante pozitive me inteligjencën, po ashtu edhe me aftësitë e videolojërave, por ka ndërlidhje negative me aftësitë e leximit. Pra, sa më të larta që ishin aftësitë matematikore shkathtësitë e tyre më të ulëta ishin shkathtësitë e leximit”, deklaroi ai.

Pas këtyre rezultateve, ai rekomandoi që të krijohen metoda të reja të të mësuarit përmes lojërave, sidomos për moshat e hershme, ndërrimi i sistemit arsimor shabllon të të mësuarit, si dhe të bëhen hulumtime të reja që tregojnë llojet e aktiviteteve që ndikojnë pozitivisht në shkathtësitë akademike.

Gjatë ditës, janë prezantuar edhe punime të ndryshme si “Gjuha e trupit ne klasë – mesazhet joverbale mes mësimdhënësit dhe nxënësit”, “Dilemat morale tek fëmijët”, “Perceptimet e studentëve për klimën në shkollë dhe përformancën akademike: Eksplorimi i faktorëve individual, familjar dhe faktorëve të ndërlidhur me shkollën.”, e tema të tjera.

(Kosova Sot Online)