Dhjetë të vrarë nga sulmet ajrore të Izraelit në Siri

  • 02 June 2019 - 15:32
Dhjetë të vrarë nga sulmet ajrore të Izraelit në Siri

Izraeli ka kryer sulme ajrore në Siri si kundërpërgjigje ndaj sulmit të rrallë me raketa që erdhi nga vendi fqinj. Një monitorues i luftës raportoi se dhjetë persona janë vrarë, përfshirë ushtarë sirianë dhe luftëtarë të huaj.

Ushtria e Izraelit tha se dy raketa janë hedhur nga Siria në malin Hermon, i cili ndodhet në Rrafshnaltën e Golanit. Si kundërpërgjigje ndaj këtij sulmi, ushtria sulmoi dy bateri të artilerive siriane, disa pika vrojtuese dhe një bateri për mbrojtje ajrore.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se në këto sulme ajrore u vranë tre ushtarë sirianë dhe shtatë luftëtarë të huaj.

Sipas këtij vëzhguesi me bazë në Britani të Madhe, viktimat u vranë gjatë sulmeve me raketa afër Damaskut, ku trupat siriane, forcat iraniane dhe luftëtarët e Hezbollahut janë të stacionuar. Sidoqoftë, përkatësia etnike e luftëtarëve të huaj që u vranë në këto sulme nuk u bë e ditur. 

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ka dhënë urdhër për kryerjen e këtyre sulmeve. “Nuk do të tolerojmë zjarr në territorin tonë dhe do të përgjigjemi fuqishëm ndaj çdo agresioni kundër nesh”, tha ai.

Izraeli ka kryer qindra sulme ajrore në Siri, shumica e të cilave ishin kundër caqeve të Hezbollahut dhe Iranit. Ky shtet thotë se është i vendosur ta parandalojë shtrirjen e ushtrisë iraniane në Siri, ku Irani mbështet regjimin e Asadit në luftën ku janë vrarë më shumë se 370 mijë njerëz, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)