VV e LDK: Shpend Ahmeti e ka harruar Prishtinën

  • 02 June 2019 - 17:41
VV e LDK: Shpend Ahmeti e ka harruar Prishtinën

Dy partitë opozitare në Prishtinë po e akuzojnë Shpend Ahmetin se ka dështuar si Kryetar i Prishtinës. Në LDK po thonë se dështimet shihen në secilën pjesë të qytetit. E, në VV thonë se do të përmirësohet qeverisja kur Partia e Albin Kurtit kthehet në pushtetin e kryeqytetit. Ndërkohë, në Prishtinë, kanë mbetur dhjetëra premtime të Ahmetit të parealizuara prej mungesë së Pishinës Olipmike e deri te mungesa e Qendrave të Mjekësisë Familjare.

Asamblisti i LDK’së në Komunën e Prishtinës, Halim Halimi e ka fajësuar Kryetarin e Prishtinës dhe drejtorët se s’po bëjnë asgjë për të përmirësuar jetën e prishtinasve. Ka thënë se ata po keqqeverisin në Prishtinë.

“Këto 4 vite janë dështim total i Shpend Ahmetit dhe ekzekutivit të tij, ne po reagojmë por shumë shpesh drejtorët nuk marrin pjesë në mbledhjet e Kuvendit. Ne opozita, LDK dhe LVV po reagojmë vazhdimisht, por partitë e tjera jo. E kjo si pasojë e koalicionit të të gjitha partive tjera”, ka thënë Halimi.

Shpend Ahmeti ka marrë udhëheqjen e Prishtinës në fund të vitit 2013 prej LDK’së. Kishte premtuar se gjatë mandatit të tij do të harrohen problemet në infrastrukturë, shëndetësi, arsim, e kulturë.

Edhe pse i ka mbushur pesë vjet në krye të Prishtinës, Ahmeti ende s’e ka realizuar premtimet për parkingje. Nuk ka ndërtuar as shkollat e premtuara. Ndërtimet ilegale, sidomos nëpër periferi të Prishtinës, vazhdojnë pa kurrfarë problemi.

Nuk e ka themeluar Odën Ekonomike të Bizneseve të Prishtinës. S’ka mësim gjithditor nëpër shkollat e Prishtinës. Nuk është ndërtuar Pishina Olimpike në afërsi të Pallatit të Rinisë. Nuk është ndërtuar asnjë fushë e futbollit. Nuk është ndërtuar as tregu i ri në hapësirat ku aktualisht është AKP’ja. Nuk janë ndërtuar kiosqet e reja për shitjen e mallrave të imta. Nuk janë rregulluar shtigjet në Parkun e Gërmisë në drejtim të Gollakut. Nuk është ndërtuar teatri i qytetit i ndarë prej Teatrit “Dodona”.

Nuk është ndërtuar rruga “A” në lagjen Mat 1. Nuk është ndërtuar Qendra e Mjekësisë Familjare në Verernik dhe as s’ka autoambulancë në Gërmi. Nuk ka filluar riciklimi i mbeturinave i premtuar se do të nistë më 2019. Nuk janë krijuar hapësira për çiklistë. Nuk është ndërtuar as stacioni i ri i autobusëve. Nuk janë ndalur automjetet të hyjnë në Parkun e Gërmisë. Nuk ka ndodhur ndërtimi i objekteve për t’iu lehtësuar të rinjve të blejnë banesa më lirë. Këto mospunë janë të publikuara edhe në raportin e GAP.

Halil Halimi i LDK’së thotë se Shefit të Prishtinës i teprojnë miliona euro pasi s’po arrin t’i investojë në projekte për të përmirësuar jetën në Prishtinë.

“Në vitin 2018, kryetarit i kanë mbetë pa i shfrytëzu 25 milionë euro si rezultat i dështimëve të projekteve si kjo e fundit, dhe jam i bindun se në fund të vitit 2019 rreth 40 milionë kamë me mbetë pa shfrytëzu,” ka thënë Halim Halimi.

Edhe Eman Rrahmani nga VV’ja thotë se Shpend Ahmeti ka punuar vetëm sa ishte pjesë e Partisë së Albin Kurtit.

Tash, thotë ai, Kryetari i Prishtinës ka dështuar.

“Shpendi ka punu sa ka qenë në Vetëvendosje, spese i kemi bo presion nga brenda, mirëpo këtë mandat po shihet që asnjë punë nuk po e kryen. Deshtimit total i kësaj qeverisje fatkeqësisht i janë bashkangjitur edhe partitë e tjera, përveç Vetëvendosjes dhe një pjese të LDK’së” ka deklaruar Rrahmani.

Ky zyrtar i VV’së thotë se edhe PDK’ja është vënë në shërbim të Shpend Ahmetit për t’i mundësuar të kalojnë vendimet që i interesojnë.

Rrahmani tregoi edhe se si kjo qeverisje komunale emëron dhe shkarkon drejtorë varësisht nga nevojat politike të kryetarit.

“E kemi rastin e ish drejtorit Salihaj, i cili u shkarkua nga detyra sepse nuk i emëroi drejtorë të shkollave disa nga militantët e partive tjera. E pas tij, drejtoresha e re e zbatoi urdhrin e kryetarit Ahmeti,” shtoi Rrahmani.

Krejt në fund asamblisti Rrahmani u premtoi qytetarëve të Prishtinës se edhe në zgjedhjet tjera Vetëvendosje do të triumfojë në kryeqytet.

“Vetëvendosje ka dëshmu se ka program dhe nuk punohet me individ. Shumë individë që mëndonin se janë dikushi u larguan por elektoratin nuk arritën ta dëmtojnë, madje kanë pasë ndikim të kundërt. Jemi të bindur se numri i votave do të rritet dhe Vetëvendosje do të qeverisë me kryeqytetin edhe në zgjedhjet e ardhshme” ka përfunduar Rrahmani.

(Kosova Sot Online)