Presidenti e nxjerr taksën si temë kryesore me gjermanët e francezët, thotë se nuk hiqet

  • 03 June 2019 - 13:19
Presidenti e nxjerr taksën si temë kryesore me gjermanët e francezët, thotë se nuk hiqet

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pas takimit me emisarët gjermanë e francezë e ka nxjerrë si çështje kryesore tarifën që Kosova ia ka vënë Serbisë. Derisa Haradinaj nuk e ka përmendur atë, Thaçi ka theksuar se ajo nuk do të hiqet.

Presidenti, Hashim Thaçi, është deklaruar rreth takimit që ai ka pasur me zyrtarët nga Franca e Gjermania. Ai tha se me këta përfaqësues ka folur për takimin e Parisit i cili do të mbahet më 1 korrik. Thaçi ka deklaruar se ua ka bërë të qartë zyrtarëve gjermano-francez se taksa nuk do të hiqet dhe se Kosova nuk do të pranojë kritere të reja për liberalizimin e vizave.

“Kemi potencuar se që Kosova në asnjë rrethanë nuk do të pranojë kritere të reja për liberalizimin e vizave as për çështjen e tarifës e as për diçka tjetër. Po ndodhë një diskriminim për qytetarët e Kosovës. Kosova ka plotësuar më tepër se nga të gjitha vendet e rajonit kriteret për liberalizimin e vizave”, ka dekalruar Thaçi pas takimit.

Ai ka thënë se Serbia do të jetë e obliguar që të jetë pjesëmarrëse në takim, pavarësisht deklaratave të zyrtarëve serbë.

“Nga fryma e diskutimit që zhvilluam sot, shoh se ka një angazhim më serioz të akterëve evropian por edhe të SHBA’së. Dialogu por edhe takimi i Parisit duhet të ndodhë dhe do të ndodhë pavarësisht disponimit të Vuciqit. Tarifa nuk do të hiqet. Askush nga BE nuk duhet të lejojë që Beogradi të vëjë kushte për takimin e Parisit”, thekson presidenti.

Tutje Thaçi deklaroi se Kosova mbetet e vendosur që taksën ndaj produkteve serbe ta mbajë në fuqi.

“Theksuam qartë se tarifa duhet të mbetet në fuqi. Është një vendim legjitim. Në anën tjetër duhet respektuar marrëveshjet që janë arritur në vitin 2013 nga të gjitha palët. Shpresojmë se do të ketë një përkushtim serioz edhe për javët e ardhshme që kanë mbetur”, ka deklaruar në fund Hashim Thaçi.

(Kosova Sot Online)