Vrasja e ish-policit:  Një shishe uji, prova që tradhtoi të “fortin” e “Myslym Shyrit”

  • 03 June 2019 - 13:42
Vrasja e ish-policit:  Një shishe uji, prova që tradhtoi të “fortin” e “Myslym Shyrit”

Bleona Metushi/ Materiali biologjik i përftuar nga një shishe uji e gjetur në makinën, me të cilën u arratisën autorët e vrasjes së Arben Bilalit, është prova më e fortë e Prokurorisë së Tiranës, kundër të ashtuquajturit të “fortit” të Myslym Shyrit, Gjergj Cukalit.

Ky i fundit u arrestua dy ditë më parë nën akuzën e vrasjes së ish-policit Arben Bilali, ndërsa gjatë seancës së djeshme, nëpërmjet avokatit të tij, mohoi të ketë lidhje me vrasjen. Prokuroria e Tiranës, e përfaqësuar nga prokurori Bajram Breçani, kërkoi caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” pa afat, ndërsa paraqiti para Gjykatës provat që, sipas tij, vërtetojnë implikimin e Cukalit në vrasjen e ndodhur në 30 janar të këtij viti.

 

Për rreth 2 orë, Gjykata dëgjoi pretendimet e palëve dhe në fund vlerësoi të ligjshëm arrestimin e 40- vjeçarit, i cili pritet të apelojë vendimin. Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë nisi me shtyrje, pasi avokati i 40- vjeçarit kërkoi kohë që të njihej me aktet e dosjes.

“Kërkojmë të na vihen në dispozicion aktet të dosjes, pasi nuk jemi njohur ende me to”, tha avokati. Ndërkohë, sipas Prokurorisë janë mbledhur prova shkencore që vërtetojnë që ky shtetas ka marrë pjesë në atentatin ndaj Arben Bilalit në 30 janar të vitit 2019. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në mjetin tip “Mercedes Benz”, me të cilin u ekzekutua 50-vjeçari Bilali, janë gjetur gjurmë ADN-je në një shishe uji plastike.

Nëpërmjet këtij materiali është bërë ndërtimi i profilit biologjik, i cili rezultoi të ishte i njëjtë me atë të Cukalit. Ndaj këtij të fundit, Prokuroria ka ngritur akuzat e “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

MBROJTJA

Avokati i Gjergj Cukalit, Alban Bengasi, pasi dëgjoi relatimin e Prokurorisë, kërkoi bërjen e një tjetër aktekspertimi, pasi pretendoi se materiali biologjik i marrë një vit më parë për ndërtimin e ADN-së, i ishte marrë në kushte joligjore, pa praninë e një avokati dhe pa praninë e vetë të arrestuarit.

Ndër të tjera, mbrojtja pretendoi se në makinën, me të cilën u arratisën autorët e dyshuar të vrasjes e që u gjet e braktisur ditën e nesërme, kanë hyrë disa persona dhe sipas tij ka ndërhyrje në provat e krimit.

Vetë Cukali nuk zgjodhi të flasë para trupit gjykues, ndërsa nëpërmjet mbrojtjes, mohoi implikimin e tij në krim duke dhënë edhe një alibi.

ARRESTIMI

Gjergj Cukali, i cili dyshohet se është ekzekutori i ishpolicit Arben Bilali, u arrestua mbrëmjen e së enjtes pranë shkollës “Vasil Shanto”, në një rrugicë teksa ecte në këmbë. Hetimet nuk kanë përcaktuar ende nëse Cukali ka qenë personi që ka shkrepur armën, ndërsa edhe motivet mbeten të paqarta.

Fillimisht, Policia përqendroi hetimet në pistën e hakmarrjes, nisur nga e kaluara e viktimës, ndërsa me arrestimin e Cukalit po kalohen në sitë edhe pista të tjera, si ajo e pazareve të drogës. Për vrasjen e 50-vjeçarit Bilali, në burg është edhe Arben Tirana me akuzën e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës. (Kosova Sot Online)