Tërnava uron Bajramin e Madh, bën thirrje për më shumë solidaritet

  • 03 qershor 2019 - 14:30
Tërnava uron Bajramin e Madh, bën thirrje për më shumë solidaritet

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar besimtarët për festën e Bajramit të Madh (Fitër Bajramit).

Ai thotë se në këtë ditë feste duhet të ndihmohen rastet sociale, jetimët e dhe skamnorët.

Sipas tij, ende nuk janë kryer obligimet as ndaj Zotit, e as ndaj vendit e shoqërisë derisa si individ e pastaj si komunitet e së fundit si shtet të mos bëhet më e mira për këtë kategori.

Urimi i plotë:

Të nderuar

Vëllezër dhe motra!

Sonte me iftarin e fundit po përcjellim muajin e Ramazanit, muajin e Kuranit, muaj i cili për besimtarin Islam ka një rëndësi të madhe, ngase ishte muaji ku u kultivuam vlerat dhe virtytet më të larta fetare, shpirtërore, morale e shoqërore. Muaji ku edhe më shumë ngritëm nivelin e dashurisë ndaj Zotit xh.sh., vetëm e vetëm për ta fituar kënaqësinë e Tij, përmes një kodi të veçantë etik në të cilin dominon fuqia e vlerës dhe e parimit ndaj çfarëdo fuqie tjetër.

Nesër është dita e parë e festës së Fiter Bajramit e cila festë vjen pas një muaji dedikimi e sakrifice për t’u afruar më tepër me Zotin, ku kultivuam shpirtmadhësinë tolerancën, vëllazërinë, paqen, solidaritetin, vlera këto të cilit kanë një rol të pazëvendësueshëm për shoqërinë tonë. Ngase këto janë parime të mëdha që feja islame i përçon në mbarë njerëzimin. Festa e Fitër Bajramit është një arenë, ku shkrihen dallimet, pozitat, arenë ku takohen të gjitha me fitoren e përbashkët për të mirën e përgjithshme.

Festa e Fiter Bajramit, troket në zemrën dhe shpirtin e besimtarit troket në vatrat tona familjare menjëherë pas Muajit të madhërishëm të Ramazanit, periudhës së shenjtë, gjatë së cilës myslimanët e devotshëm anembanë botës kanë agjëruar duke sakrifikuar, duke u përpjekur të ripërtërijnë vlerat më të mira shpirtërore dhe njerëzore. Ndaj nesër kemi rastin më të gëzuar, më të hareshëm për të festuar ditën kur myslimanët i gëzohen dhe shijojnë të mirat e kësaj dite, ngase kanë kryer edhe një obligim madhor të fesë sonë Islame i cili radhitet në mesin e pesë shtyllave të Islamit.

Edhe në këtë ditë feste e kemi obligim që ti thërrasim ndërgjegjes për kategoritë sociale, jetimët e skamnorët që të kujdesemi për ta. Ne nuk kemi kryer obligimet tona as ndaj Zotit, e as ndaj vendit e shoqërisë derisa ne si individë e pastaj si komunitet e së fundit si shtet të mos e bëjmë më të mirën e mundshme për këtë kategori.

Kjo ditë është dita e unitetit, prandaj duhet të shfaqim unitetin në familje dhe me njerëzit e shoqërisë sonë. Mos të harrojmë se Muhamedi a.s. ka thënë: “Dora e Zotit është me bashkësinë’’.

Kjo ditë është dita kur besimtari falë njerëzit e tjerë, ndaj edhe ju besimtarë të devotshëm, falni ata që ju kanë ofenduar, ata që kanë shpifur, dhe kanë folur keq për ju, falni zënkat dhe mosmarrëveshjet mes jush. Mos harroni se Allahu xh.sh., është me ata që falin, kur ju falni tregoni mëshirën e Zoti xh.sh., që është brenda jush dhe bëheni shkak që Zoti t’ju falë juve në Ditën e Gjykimit.

Zoti nuk ka nevojë për vlerësimin dhe mirënjohjen tonë? Ai është Krijues i çdo gjëje, është i pafillim dhe i pambarim, ndryshe nga krijesat e Tij, jemi ne ata që kemi nevojë të përmirësojmë veten tonë, duke lidhur zemrat tona me përmendjen e Tij, si dhe duke përfituar nga shprehja e mirënjohjes së Tij. Allahu xh.sh. thotë:

‘’Më përmendni mua , Unë ju përmend juve Më falënderoni e mos e mos Më mohoni’’

Në këto çaste, në prag të kësaj feste të Fitër Bajramit, në këtë ditë feste të rëndësishme për paqen dhe vlerat universale të shoqërisë njerëzore, në këtë ditë të madhërishme të shprehjes së besimit ndaj Zotit Krijues, ftojë për një unitetet edhe më të fortë mes nesh, për një unitet edhe më të madh politik kur është në pyetje ardhmëria e vendit tonë, e vatanit tonë, për një solidaritet edhe më të madh, për një mirëkuptim dhe besim edhe më të madh ndër fetarë me të tjerët, virtyte këto të cilat janë pasuritë më të çmuara të kombit dhe të fesë sonë, dhe si të tilla, ato përbëjnë një garanci të sigurt për të ardhmen e shtetit tonë dhe brezave që do vijnë pas nesh.

Sot jemi dëshmitar se kemi mbetur vend dhe popull i izoluar, me papunësi të theksuar e me shumë sfida të tjera, e kemi për obligim që këtë gjendje ta ndryshojmë për të mirë, që të krijojmë një shoqëri të lirë, me mirëqenie ekonomike dhe arsimim e edukim adekuat, pra të krijojmë një shtet funksional të integruar në shoqëritë e përparuara. Ta forcojmë paqen, mirëqenien, dashurinë, respektin e solidaritetin mes njerëzve, larg dhunës, konflikteve, gjakderdhjeve e ekstremeve të ndryshme.

Të nderuar Vëllezër dhe motra!

Më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saja dhe në emrin tim personal t’ju drejtohem me përgëzimet më të mira, të gjithë besimtarëve të besimit Islam kudo që ata gjenden në Kosovë e brenda trojeve tona etnike, si dhe mërgatës kudo që ata jetojnë, për festën e Fitër Bajramit, duke e lutur Zotin që të na ketë pranuar agjërimin dhe të gjitha adhurimet tjera, të na fisnikërojë me moralin dhe etikën e Ramazanit, si dhe të na falë begati të shumta nesër në festën e Fitër Bajramit.

(Kosova Sot Online)