Dështimet e njëpasnjëshme, ky është paralajmërimi për Shpend Ahmetin

  • 03 June 2019 - 15:31
Dështimet e njëpasnjëshme, ky është paralajmërimi për Shpend Ahmetin

Mandati i dytë i Shpend Ahmetit në krye të Prishtinës, sipas analistit politik Arsim Haziri, jo vetëm që do të lë pasoja të dukshme për tu riparuar nga pasardhësi i tij i radhës në zgjedhjet e ardhshme komunale, por degradimi që po i ndodhë qytetit me këtë keq qeverisje, mundë të ketë pasoje tepër afatgjata dhe madje të pa riparueshme në shumë segmente të jetës dhe të infrastrukturës në kryeqytet.

Sipas, Hazirit edhe akuzat që janë drejtuar ndaj Shpend Ahmetit janë mëse të arsyeshme. Sipas tij, edhe ndarja me LVV-në ka ndodhur për shkak të hetimit që është parë se ai po lidhet me rrjetet kriminale dhe po e harron interesin qytetar, e që ishin pikërisht oligarkët Devolli. 

“Ndër arsyet bazike pse erdhi ndarja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! është edhe përfshirja e Shpend Ahmetit në disa skema që e nxirrnin atë të përafërte me oligarkun e devollëve, Blerim Devolli. Pikërisht kjo përafri konsideroj se e minimizoi mjaftueshëm të parin e kryeqendrës, dhe përfshirja gjithnjë e më shumë, e bënë atë që ai të diferencohet nga premtimet e dhëna, madje kësaj i ndihmuan kur edhe u integrua në procesin dialogues”, tha analisti Arsim Haziri për “Kosova Sot Online”.

Image
Arsim Haziri

Sipas Hazirit, Shpend Ahmeti e ka humbur tërësisht besimin tek qytetarët dhe nuk gëzon më asnjë respekt apo besim.

“Ai sipas dëshmive të perceptimit qytetare por edhe të vlerësimeve të organizatave jo qeveritare, ka tejkaluar konsiderueshëm premtimet e dhëna përgjatë fushatave. Dështimet e krijuara nga qeverisja e LDK-së, vetëm në mandatin e parë kanë munduar të zgjidhen madje këtu falë programit dhe idesë së Vetëvendosjes, ndërsa mandati i dytë e nxjerrë atë akoma më të dështuar se që Prishtina ishte në qeverisjen e LDK-së. Pra konsideroj se qeverisja në Prishtinë, tash në këtë mandatin e dytë, ka filluar t’i përngjaj një papërgjegjësie të pjesshme ekstreme, dhe logjika që e shtynë me tej nuk përbëjnë një qeverisje për qytetarët”, theksoi Haziri për “Kosova Sot Online”.

Haziri ka kritika edhe sa i takon një angazhimi më të madh të opozitës për të zbardhur më shumë dështimet e Shpend Ahmetit në kryeqytet, që duket se nuk po e bëjnë punën si duhet.

“Në dështimet e realizuara, besoj që edhe subjektet opozitare janë duke çaluar për të qenë më aktive dhe më denoncuese e monitoruese të mos punës së Shpendit. Aktivitetet e tyre për t’i shpërfaqur keqpërdorimet multidimensionale, do duhej të shprehen në forma nga më të ndryshmet, në mënyrë që avazi i vjetër të mos avancohet e të jetë në dëm të qytetarëve’, përfundoi analisti, Arsim Haizri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)