Johnson: Me ose pa marrëveshje, më 31 tetor largohemi nga BE-ja

  • 03 June 2019 - 17:48
Johnson: Me ose pa marrëveshje, më 31 tetor largohemi nga BE-ja

Boris Johnson, njëri nga kandidatët kryesorë për kryeministër të ardhshëm të Britanisë së Madhe, premtoi të hënën se do ta udhëheqë vendin e tij drejt daljes nga Bashkimi Evropian më 31 tetor, pavarësisht miratimit apo dështimit të marrëveshjes për Brexitin.

Kryeministrja aktuale e Britanisë, Theresa May, pritet të japë dorëheqje të premten për shkak të dështimit për ta çuar deri në fund procesin e Brexitit. Ajo po e lë pas vetes një vend të përçarë dhe një parlament që nuk ka arritur konsensus për të ardhmen e ekonomisë së pestë më të madhe në botë.

Johnson, ish-ministër i jashtëm që kishte dhënë dorëheqje në shenjë proteste për mënyrën e trajtimit të Brexitit nga kryeministrja May, po cilësohet si favorit për ta fituar garën me shumë kandidatë për kreun e qeverisë.

“Nëse hyj në qeveri, do të largohemi nga BE-ja më 31 tetor, me apo pa marrëveshje”, tha ai. Më parë, edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kishte thënë se 31 tetori është data e fundit për Brexitin dhe se nuk mund të ketë shtyrje tjera të afatit.

Deklarata e tij erdhi në kohën kur Britaninë e Madhe po e viziton presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili ka thënë se Johnson do ta bënte një punë shumë të mirë si kryeministër i shtetit ishullor, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)