Rrëfimi i të miturës që e shfrytëzuan si prostitutë: Dilja natën, orar pa orar. Më thoshin…

  • 04 June 2019 - 14:11
Rrëfimi i të miturës që e shfrytëzuan si prostitutë: Dilja natën, orar pa orar. Më thoshin…

Gjykata për Krime të Rënda dënoi me 31 vite burg 3 të pandehur, të cilët dyshohet se kanë shfrytëzuar një të mitur për prostitucion.

Nga 15 vite burg dha Gjykata për Elton Drapin dhe Enea Sinanin, ndërsa dënoi me 1 vit burg Salia Kovaçin, kjo e fundit e akuzuar për moskallëzim krimi. Sipas Prokurorisë, këta persona kanë shfrytëzuar për prostitucion shtetasen M.L., e datëlindjes 17.02.1998.

E dëmtuara e mitur ka deklaruar se në muajin dhjetor të vitit 2013 është njohur rastësisht në një lokal me të pandehurin Enea Sinani, që punonte kamerier. Sipas Prokurorisë, ky i fundit, pasi ka mësuar situatën e së dëmtuarës, e ka marrë dhe e ka dërguar te lokali i vëllait të vetë, shtetasit K.Sinani, që ndodhet te Komisariati Nr.4, Tiranë.

Shtetasja M.L. përfaqësonte një vajzë të mitur të shkëputur nga familja e saj dhe që nuk kishte asnjë person që mundej të interesohej për të. 

“Vajza u ka treguar se nuk kishte vend ku të rrinte dhe as ku të jetonte. I pandehuri Enea Sinani ka marrë në telefon një shokun e tij të quajtur Koli, i cili ka mundësuar strehimin e Melidës. Koli ka shkuar dhe pasi është njohur me Melidën te lokali ku ishin me Enean, ka thirrur një shokun e vetë, Tonin dhe shoqen e tij Sara. Kanë rënë dakord që ta strehojnë vajzën te shtëpia e Sarës dhe kanë organizuar çdo gjë me qëllim që ta përdornin si prostitutë”, tha prokurori Eugen Beçi gjatë pretencës.

Prokuroria pretendon se gjatë kësaj kohe Melida është shfrytëzuar për prostitucion nga i pandehuri Elton Drapi dhe të gjitha paratë e fituara i merrte ai. Shtetasja Melida ka arritur të evidentojë shfrytëzuesin e saj, shtetasin me emrin Toni, që sipas saj e ka parë në rrugë një ditë duke dalë me makinën e qendrës dhe i është kujtuar se ai e kishte emrin Elton Drapi.

E mitura është pyetur edhe para Gjykatës, ku ka shpjeguar para trupit gjykues me hollësi të gjitha rrethanat e faktit penal.

“Nga shpjegimet e saj, akuza në ngarkim të të pandehurve u provua plotësisht”, tha prokurori. Ndër të tjera, për qëllimin e këtij trafikimi, viktima ka shpjeguar se:

Gjykata: Bisedoi ndonjë gjë Koli me Salien dhe Eltonin, me aq sa dëgjove ti?

M.L.: Po.

Gjykata: Çfarë biseduan? 

M.L.: Biseduan për punën që thanë, që do punoja me lekë dhe që në këtë mënyrë të paguaja dhe periudhën që rrija aty, domethënë shpenzimet….

Gjykata: Të thanë që do punoje me lekë, çfarë do punoje?

M.L.: Prostitutë.

Gjykata: Pas këtyre bisedave që bëtë, Koli ndenji apo u largua?

M.L.: U largua.

Gjykata: Çfarë ndodhi më pas?

M.L.: Atë natë ndenja në shtëpi dhe duke filluar që nga e nesërmja, dilja që të punoja bashkë me Sarën. Klientët i gjente Sara dhe Toni.

Gjykata: Atë natë ndenje në shtëpi dhe të nesërmen në çfarë ore dole?

M.L.: Nuk e mbaj mend. Në mbrëmje, ishte orar pa orar.

Gjykata: Të tha Sara që bëhu gati se duhet të dalim?

M.L.: Po. Në mbrëmje sepse klientët i gjente Sara dhe më thoshte që bëhu gati sepse do dalim për punë. Dhe nuk kundërshtoja se kisha frikë.

Gjykata: Pra, u bëtë gati dhe dolët, a mund të më thuash se ku vajtët, në çfarë vendi dhe çfarë ndodhi më pas?

M.L.: Ne për të shkuar te personi që do rrinim, na shoqëronin taksi dhe ndonjëherë taksistin e bënte dhe Toni për shkak se personi duhet të paguante taksinë, ose vinin personat dhe na merrnin vetë.