Çka pritet nga takimi Haradinaj - Merkel në Berlin!

  • 04 June 2019 - 14:47
Çka pritet nga takimi Haradinaj - Merkel në Berlin!

Pas samitit të Berlinit, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, do të takohen edhe një herë gjatë kësaj jave, ku temë qendrore e këtij takimi pritet të jetë dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë.

Njohës të çështjeve politike thonë se në këtë takim çështje kyçe që do të diskutohen janë taksa dhe dialogu.

Analisti politik Belul Beqaj, vizitën e kryeministrit Haradinaj pas samitit të Berlinit dhe para atij të Parisit, e lidh me atë se në këtë takim do të vendoset se a mundet Qeveria Haradinaj të përfundojë procesin e dialogut.

Sipas tij, ajo çfarë do të ndodhë në këtë takim, do të jetë një argument shtesë në funksion të sqarimit të pozicionit edhe sa i përket mocionit të opozitës për rrëzimin e Qeverisë.

“Vizita e kryeministrit do të jetë një argument shtesë në funksion të sqarimit të pozicionit edhe sa i përket mocionit të opozitës, por edhe sa i përket vazhdimit të koalicionit qeverisës. Pra, aty do të bëhet ndarja në mes shapit dhe sheqerit, për arsye se është një moment i caktuar kur realisht duhet të kihet parasysh drejtimi i saktë se a do të shkohet në zgjedhje për shkak se ky koalicion nuk është në gjendje ta përfundojë me sukses procesin e dialogut”, ka thënë Beqaj, teksa ka shtuar se nëse indikatorët tregojnë që ky koalicion nuk jep gatishmëri se mund të shkojë me sukses në përfundimin e procesit të dialogut, atëherë më siguri se do të marrin sinjale të tjera që do ta inkurajojnë opozitën për të shkuar në zgjedhje dhe për ta legjitimuar një spektër të ri ndoshta dhe të vjetër, por që ka marrë paraprakisht garanci se do të jetë ekzekutues i përpiktë i implementimit të marrëveshjes e cila ka mbetur në gjysmë të rrugës apo është aktualisht në një qorr sokak.

Beqaj thotë se takimi i kryeministrit Haradinaj me kancelaren Merkel lidhet edhe me takimin e Parisit më 1 korrik.

“Gjithsesi, ka lidhje nëse eventualisht indikatorët shkojnë në drejtim se ekziston gatishmëria e kryeministrit dhe këtij koalicioni që procesi të ndiqet në përputhje me shtytësit, të cilët kërkojnë që ta kemi një përfundim të epilogut të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe e kundërta, nëse shihet që nuk ka indikatorë të cilët flasin në funksion të shtytjes së mëtutjeshme, atëherë do të ndodhë e kundërta - do të shtyhet opozita që ta përshpejtojë çështjen e mocionit dhe me siguri do të krijohet një ambient i tillë që edhe ndoshta nga koalicioni qeverisës do të votojë dikush për shkak se atyre iu nevojiten edhe dy vota së paku nga koalicioni qeverisës për ta rrëzuar Qeverinë. Por, kjo nuk besoj se do të jetë shumë problematike, duke marrë parasysh faktin se në Parlamentin e Kosovës më tepër janë disa ‘kukulla’ sesa që janë njerëz me dinjitet”, shprehet ai.

Në anën tjetër, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se në këtë takim përveç dialogut, do të diskutohet edhe taksa ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Ai shprehet se në këtë takim do të diskutohet edhe çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Sipas të gjitha gjasave, do të diskutohen dy çështje kryesore të cilat janë preokupim edhe i Bashkimit Evropian , po edhe i Kosovës në anën tjetër. Pikë së pari, taksa dhe e ardhmja e dialogut mes Kosovës dh Serbisë, me faktin se vendosja e tarifës për mallrat serbe dhe boshnjake është krijuar njëfarë mënyre si pengesë për vazhdimin e dialogut. Sipas të gjitha gjasave, kjo do të jetë një nga çështjet kryesore, të cilat do të diskutohen, meqenëse Gjermania sikurse të gjitha shtetet tjera të BE-së është e interesuar që procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë, dhe të arrihet një zgjedhje e pranueshme për të dyja palët. Po ashtu, ne në vazhdimësi prej asaj që është biseduar edhe në samitin e Berlinit, sipas të gjitha gjasave mund të ketë edhe diskutime sa i përket idesë të shkëmbimit të territorit ose korrigjimit të kufijve, diçka që Gjermania në vazhdimësi ka kundërshtuar”, deklaron ai.

Sa i përket taksës, Murati thotë se deri më tani kryeministri Haradinaj nuk iu është nënshtruar presioneve për pezullimin e saj.

“Ne tash e sa kohë jemi duke e monitoruar këtë situatë që është zhvilluar pas vendosjes së taksës dhe mënyra se si e ka afektuar dialogun dhe normalisht në aspekt të politikës së jashtme taksa nuk është se ka shkuar gjithherë në favor tonin. Mirëpo, e kemi pa që një presion klasik ndaj kryeministrit Haradinaj nuk është se ka çuar peshë deri më tani nga askush, madje ka ardhur direkt nga ShBA-të, por nuk është se është marrë shumë parasysh dhe Haradinaj ka vazhduar të mbetet besnik i vendimit, të cilin e ka marrë. Mirëpo, me Merkel dhe me Gjermaninë, përgjithësisht, si duket ka një lloj përafrimi më të madh të raporteve në këtë periudhë kur jemi duke e parë një qasje pak më ndryshe të BE-së. Gjermania ka qenë shteti që ka qenë ndoshta me një qasje më miqësore ndaj Kosovës dhe ndoshta një tendencë për marrje me të butë, siç themi në popull, për të kërkuar gjendjen e një zgjidhje, të paktën një pezullim i përkohshëm në mënyrë që t’i jepet rast dialogut të vazhdojë. Pastaj, të zgjidhet një zgjidhje përfundimtare sa i përket procesit të dialogut dhe të ardhmes së dy shteteve drejt rrugëtimit të tyre evropian”, shprehet ai.

Pas samitit të Berlinit, liderët shtetërorë me ftesë të presidentit të Francës Emmanuel Macron me 1 korrik do të mblidhen në Paris.

(Kosova Sot Online)