Krimet e tmerrshme serbe, drejtësia tallet me kosovarët

  • 05 June 2019 - 07:40
Krimet e tmerrshme serbe, drejtësia tallet me kosovarët

Shoqata për Dëme të Luftës “Ngritja e Zërit” , u detyrua të dorëzojë për herë të pestë dosjet e radhës për kompensimin e dëmeve të luftës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktvendimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Sipas analistëve politikë, gjyqësori dhe ministria e drejtësisë po vazhdojnë të tallen me qytetarët duke ua “hedhur poshtë si të palejuara” dikund mbi 25 000 padi të qytetarëve dhe bizneseve kundër shtetit të Serbisë për kompensimin e dëmeve të luftës, pasi në Gjykatat e Kosovës nuk ke mundësi të ngresh padi kundër shtetit të Serbisë për dëmet e luftës në Kosovë. Deri më tani janë refuzuar mbi 25 000 padi të qytetarëve dhe bizneseve, me të cilat padi është kërkuar të kompensohen dëmet e luftës që Serbia i shkaktoi me makinerinë e saj shkatërruese e flakëvënëse në luftën e fundit 1998/1999.

Image

Lidhur me sjelljen injoruese të Gjyqësorit të Kosovës, për paditë e krimeve të luftës për “Kosova Sot Online”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.

Sipas tij, me këto raste nuk merret dhe nuk i gjykon gjyqësori i korruptuar, pasi ndikimi vjen edhe nga ministria e kapur e drejtësisë, dhe kështu krejt së bashku si politikë vazhdojnë të tallen pa fije turpi me qytetarët e vendit duke ua “hedhur poshtë si të palejuara” mbi 25 000 padi kundër shtetit të Serbisë.

“Prandaj me të drejtë Shoqata për Dëme të Luftës “Ngritja e Zërit”, sërish u detyrua të dorëzoj për herë të pestë dosjet e radhës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktvendimeve të Gjykatës Supreme, lidhur me kompensimin e dëmeve të luftës të shkaktuara nga Serbia”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, është nënshtrim ndaj krimit dhe pajtim me krimin kur në Gjykatat e Kosovës nuk ke mundësi të ngresh asnjë padi kundër shtetit të Serbisë për dëmet që ajo si okupatore e vendit, i shkaktoi me makinerinë e saj shkatërruese e flakëvënëse në luftën e fundit në Kosovë.

“Madje vet KGJK-ja u kishte dhënë edhe urdhër gjykatave në formë të “këshillues vepruese” që të gjitha Paditë kundër Serbisë nëpër gjykatat e Kosovës , “Të hidhen poshtë si të pa lejuara paditë për krime të luftës”, duke u vënë kështu jo vetëm politika kuislinge e udhëhequr nga Hashim Thaçi por edhe gjyqësori kosovar, kundër interesave të qytetarëve dhe në mbrojtje publike të akteve gjenocidiale të Serbisë okupatore e armike, në kundërshtim me të gjitha faktet, ligjet në fuqi dhe kushtetutën e vendit është amnisti kundër krimit dhe krim i dyfishtë ndaj viktimës”, theksoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

“Me këtë mënyrë veprimi, ka kohë dhe vite të tëra që po shkelen hapur të drejtat e qytetarëve dhe po bëhet qëllimisht keq interpretimi i dispozitave ligjore të Ligjit për procedurën kontestimore, pikërisht me mos korrigjimin e padrejtësive nga ana e vetë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, përfundoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)