Qëlloi shokun me armën e shërbimit, zbardhet dëshmia e gardistit: Po i tregoja…

  • 05 June 2019 - 08:43
Qëlloi shokun me armën e shërbimit, zbardhet dëshmia e gardistit: Po i tregoja…

Detaje te reja nga ngjarja ne Tirane, ku një efektiv i Gardës së Republikës u arrestua nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, pasi plagosi me armën e shërbimit shokun e tij, bashkëmoshatar.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës, në zonën e Paskuqanit, ndërsa mësohet se i plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Menjëherë sapo kanë marrë njoftim për krimin e ndodhur në kryqëzimin e rrugëve “Ramadan Çitaku” me atë të “Balshajve”, në Paskuqan, në vendngjarje kanë shkuar oficerët e Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit. Në momentin që është mësuar se autor i ngjarjes ishte efektiv i Gardës së Republikës, hetimit i janë bashkuar edhe oficerët e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Burime zyrtare të Ministrisë së Brendshme thanë se është bërë arrestimi në flagrancë i 22-vjeçarit Florjan Hysi, i cili kishte veshur uniformën si gardist prej 3 muajsh. Ai është vënë në pranga me akuzën e “Vrasjes me dashje”, të mbetur në tentativë, edhe pse gjatë deklarimeve paraprake është shprehur se ngjarja ishte aksidentale.

Burimet thanë se i plagosuri, 22-vjeçari Lorenc Doçi, banues në Kodër Kamzë, fillimisht ndodhej në gjendje kritike, por aktualisht është nën kujdesin e mjekëve të Spitalit të Traumës.

NGJARJA

Në deklarimet që ka dhënë para oficerëve të SHÇBA, efektivi i Gardës së Republikës, Florjan Hysi, ka shpjeguar se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht. Ai ka treguar se ka qenë bashkë me shokun e tij, Lorenc Doçi, dhe duke i treguar armën e shërbimit që e kishte me vete, aksidentalisht është shkrepur. Një plumb e ka goditur mikun e tij në gjoks dhe ai ka thënë se ka ndihmuar për transportimin e tij në spital.

Megjithatë, deri në dëshminë e plotë që pritet t’i merret në spital të plagosurit, grupi hetimor ende nuk është bindur nëse ngjarja e së hënës mbrëma në Paskuqan është aksidentale apo e qëllimshme.

Për këtë arsye, ndaj gardistin 22-vjeçar është ngritur akuza e “Vrasjes me dashje” të mbetur në tentative dhe me këtë vepër penale janë referuar materialet në Prokurori.

Nga ana tjetër, burime nga Garda e Republikës thanë se Florjan Hysi është pezulluar nga detyra, deri në përfundim të hetimeve që tashmë kanë nisur ndaj tij, prej momentit të arrestimit. Policia tha se ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale pistoletën e shërbimit, me të cilën ai ka qëlluar shokun, duke e plagosur rëndë.

(Kosova Sot Online)